Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur të enjten në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës nga ku kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Të dyja partitë e kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit të institucioneve të reja të vendit.
Ato po kërkojnë që LVV-ja të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe që për presidentin të merren vesh pas përfundimit të dy proceseve të para.
PDK-ja ka lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga një letër me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit. Letrat janë vendosur në kuadër të kërkesës së saj që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, nga foltorja e Kuvendit ka thënë se LVV-ja po e mban vendin të bllokuar me qëllimin për zgjedhje të reja.
“Kosova nuk është pronë e 53 deputetëve. Kuvendi është i 120 deputetëve, i qytetarëve, Kosova është e qytetarëve. Kujt po i konvenon bllokada sot, kush po fiton nga moskonstituimi i kuvendit”, ka thënë ai.
Kurse, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka thënë se institucionet duhet të formohet sa më shpejt për t’u gjetur zgjidhje shumë problemeve që i kanë qytetarët e Kosovës.
“Nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur Kosova ka probleme e sfida që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh ajo.
Pas mbledhjes në sallën e Kuvendit, përfaqësues të dy partive kanë dalë në konferencë për media ku është ritheksuar thirrja për vazhdimin e seancës konstituive.






















