Türkiye, Egjipti dhe Katari dënuan fuqishëm sulmet e fundit izraelitë në Rripin e Gazës, të cilat vranë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, duke paralajmëruar se përshkallëzimi kërcënon përpjekjet në vazhdim për zbatimin e armëpushimit.
Në një deklaratë të përbashkët, të tre vendet, që veprojnë si ndërmjetësues, shprehën "shqetësim të thellë" për shkeljet e vazhdueshme dhe thanë se intensifikimi i sulmeve izraelite po dëmton përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare në një fazë kritike.
Ata thanë se po zhvillohen përpjekje intensive për zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, duke iu referuar një takimi midis Bordit të Paqes dhe zyrtarëve izraelitë, si dhe "hapave konstruktivë" në procesin e negociatave.
"Vendet ndërmjetësuese theksojnë domosdoshmërinë që Izraeli të përmbushë plotësisht të gjitha detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë më tej armëpushimin dhe të përshkallëzojnë tensionet", thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar "pasojave shkatërruese të agresionit të vazhdueshëm izraelit" në rajon, Türkiye, Egjipti dhe Katari përsëritën thirrjen e tyre drejtuar komunitetit ndërkombëtar dhe Bordit të Paqes për të ndërmarrë hapa për të siguruar respektimin e armëpushimit.
"Duke pasur parasysh pasojat shkatërruese të agresionit të vazhdueshëm izraelit në rajon, vendet ndërmjetësuese përsërisin thirrjen e tyre drejtuar komunitetit ndërkombëtar dhe Bordit të Paqes, nën udhëheqjen e Presidentit Trump dhe të miratuar nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar respektimin e armëpushimit dhe për të ushtruar presion efektiv për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm", thuhet në deklaratë.






















