Bashkimi Evropian (BE) i pyetur për paralajmërimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, ka thënë se "deklaratat dhe veprimet" nuk e mbështesin normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.
Në një përgjigje për mediat lokale në Kosovë, BE kakonsideruar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
"Deklaratat, përfshirë ato lidhur me ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit, si dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë objektiv të normalizimit, duhet të shmangen. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në Dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të mund të përparojë në rrugën e saj evropiane", thuhet në përgjigje.
Megjithatë BE-ja ndonëse nuk është pyetur, paralelisht ka komentuar edhe çështjen e rrënimit të vilave pa leje në Ujman.
"Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me prishjet e fundit. Çdo masë zbatuese e pakthyeshme duhet të respektojë procedurën e rregullt ligjore. Personave të prekur duhet t'u jepet një mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore përpara se masa të zbatohet", thuhet më tej.
Për deklaratën e presidentit Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit kishte reaguar edhe Komisioni Evropian duke konsideruar se ato "nuk i ndihmojnë normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi".
Vuçiq, në një deklaratë më 9 gusht, shpalosi një plan për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, i cili është rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë.
Lumi Ibër furnizon liqenin artificial të Ujmanit dhe rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.






















