Ministria e Jashtme e Türkiyes ka hedhur poshtë me forcë Raportin për Türkiyen 2025 të Parlamentit Evropian, duke e cilësuar atë si një dokument të ndërtuar mbi “pretendime të pabaza dhe dezinformata” që nuk pasqyron realitetin në terren.
Në një deklaratë të mërkurën, ministria tha se raporti, i miratuar nga seanca plenare e Parlamentit Evropian, përmban vlerësime që nuk përputhen me faktet dhe pasqyron qëndrimet e qarqeve armiqësore ndaj Türkiyes.
Ankaraja argumentoi se raporti duket të jetë përgatitur në kuadër të një agjende të qëllimshme politike, të formësuar nga paragjykimet ideologjike të disa anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Ministria tha se koha e publikimit është veçanërisht shqetësuese, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike në rritje të marrëdhënieve ndërmjet Türkiyes dhe Bashkimit Evropian.
“Në vend që të kontribuojë në axhendën pozitive, raporti synon ta errësojë atë”, thuhet në deklaratë.
Ankaraja mbron pavarësinë e gjyqësorit
Ministria e Jashtme dënoi gjithashtu atë që e cilësoi si shtrembërim të proceseve ligjore në vazhdim në Türkiye dhe hodhi poshtë kritikat e drejtuara ndaj sistemit gjyqësor dhe ministrit të Drejtësisë.
Ajo theksoi se gjyqësori turk vepron në mënyrë të pavarur dhe nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve nga institucione ndërkombëtare, aktorë të huaj apo grupe politike.
“Përpjekjet për t’i vënë në shënjestër proceset gjyqësore për arsye politike janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimin e pavarësisë së gjyqësorit”, tha ministria.
Ankaraja kritikoi më tej atë që e quajti një qasje që u jep hapësirë organizatave terroriste dhe grupeve anti-Türkiye, duke argumentuar se kjo tregon mungesën e një vizioni strategjik të Parlamentit Evropian për të ardhmen e marrëdhënieve Türkiye-BE.
Ministria tha se pret që Parlamenti Evropian të adoptojë një qasje më konstruktive, të bazuar në interesat e ndërsjella dhe bashkëpunimin, veçanërisht në një kohë sfidash globale në rritje.




















