| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Greqia e parafundit në BE për drejtësinë, çështjet civile zgjasin mbi dy vjet
Greqia renditet e parafundit midis 27 shteteve anëtare të BE-së për sa i përket performancës së sistemit gjyqësor, ku procedurat civile në shkallë të parë zgjasin mesatarisht 737 ditë.
Greqia e parafundit në BE për drejtësinë, çështjet civile zgjasin mbi dy vjet
Greqia e parafundit në BE për drejtësinë, çështjet civile zgjasin mbi dy vjet / َAA

Greqia renditet e parafundit midis 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për sa i përket performancës së sistemit gjyqësor, ku procedurat civile në shkallë të parë zgjasin mesatarisht 737 ditë, tregon një studim i ri.

Indeksi i Performancës së Sistemeve Gjyqësore (JUSPER), i përgatitur nga instituti kërkimor grek KEFiM duke përdorur të dhëna të vitit 2024, e rendit Greqinë në vendin e 26-të me 34,8 pikë nga 100 të mundshme, shifër dukshëm më e ulët se mesatarja e BE-së prej 52,5 pikësh, raportoi sot media greke "Dnews". Vetëm Qiproja Greke paraqiti rezultate më të dobëta, me 24,2 pikë.

Vlerësimi mori në shqyrtim 31 tregues, përfshirë efikasitetin e gjykatave, burimet financiare dhe qasjen në drejtësi. Greqia mori vetëm 26,1 pikë për sa i përket efikasitetit, krahasuar me mesataren e BE-së prej 56,4 pikësh ndërsa gjykatat zgjidhën përafërsisht 81 çështje për çdo 100 çështje të reja të regjistruara.

Megjithëse, ka 37,3 gjyqtarë për çdo 100 mijë banorë, shifër kjo pothuajse dy herë më e lartë se mesorja evropiane, Greqia ka numër dukshëm më të vogël të personelit mbështetës administrativ për çdo gjyqtar, thuhet në raport.

Të dhënat nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se reformat e ndërmarra në shtator 2024 kanë ndihmuar në shkurtimin e kohës së pritjes për vendimet në shkallë të parë, duke e ulur atë nga 774 ditë në 357 ditë deri në mars të vitit 2026.

Shkalla e zgjidhjes së çështjeve është rritur nga 86,2 për qind në 105,1 për qind, çka tregon për përmirësime në menaxhimin e çështjeve të reja. Në raport, presidenti i KEFiM-it, Nikos Rompapas bëri thirrje për administratë më të fortë gjyqësore, shtim të personelit mbështetës dhe përdorim më të gjerë të teknologjisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë