| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, Esmeralda Hasani emërohet në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit
Hasani zëvendëson në këtë post ish-shefen e ShISh-it, Vlora Hyseni, e cila u shkarkua nga detyra në muajin shtator pasi ndaj saj ishte vendosur masa e sigurisë "arrest në shtëpi".
Shqipëri, Esmeralda Hasani emërohet në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit
Shqipëri, Esmeralda Hasani emërohet në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit / َAA

Esmeralda Hasani është emëruar në detyrën e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (ShISh), me dekret të presidentit Bajram Begaj.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se emërimi në fjalë është bërë me propozim të kryeministrit Edi Rama. "Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në media është raportuar se Hasani shërbente si këshilltare pranë Kryeministrisë së Shqipërisë. Hasani zëvendëson në këtë post ish-shefen e ShISh-it, Vlora Hyseni, e cila u shkarkua nga detyra në muajin shtator pasi ndaj saj ishte vendosur masa e sigurisë "arrest në shtëpi".

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) konfirmoi më 22 shtator 2026 se GjKKO ka vendosur ndaj Hysenit më 21 shtator masat "arrest në shtëpi" dhe "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik".

Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale "Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe "Përkrahje e autorit të krimit". Pas këtyre zhvillimeve, presidenti Begaj vendosi shkarkimin nga detyra të Hysenit.

Raportohet se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si "Çështja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit".