Lëvizja Vetëvendosje ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me tri parti politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor..
Koalicioni është firmosur midis Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Guxo, Partisë Alternativa dhe Partisë Shqiptare Demokristiane (PShDK).
Marrëveshjen e konfirmoi liderja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, e cila në një postim në rrjetet sociale ka shkruar: “Për një Republikë që nuk negocion me interesin e shtetit, për një shtet që nuk lëkundet, institucione që nuk dorëzohen dhe një qeverisje që nuk i nënshtrohet as interesit të ngushtë, as presionit të asnjë kohe”.
“Zgjedhjet e 7 qershorit do të vulosin në mënyrë të pakthyeshme ecjen përpara të Republikës së Kosovës. Të vendosur. Të palëkundur. Bashkë! Për qytetarët e Republikës sonë. Për Kosovën”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, disa ditë pas njoftimit se ish-presidentja Vjosa Osmani do të garojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), anëtari i kryesisë së kësaj partie, Kujtim Shala ka thënë për median lokale se sipas marrëveshjes me Osmanin, e cila pritet të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm e LDK-së të shtunën, Osmani do t’i prijë listës zgjedhore dhe do të jetë kandidate për presidente të vendit, ndërsa kryetari i partisë Lumir Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë vite më parë pjesë e LDK-së por ajo bashkëthemeloi partinë “Guxo” me të cilën hyri në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe u zgjodh më pas presidente nga viti 2021 deri në prill të vitit 2026.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor pas një ngërçi politik që u shkaktua nga disa përpjekje të pasuksesshme për zgjedhjen e presidentit të ri nga ana e deputetëve të Kuvendit.





















