Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke shprehur synimin e tij për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Si Türkiye, po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të hapur rrugën drejt paqes mes Rusisë dhe Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Pas takimit tonë me presidentin Zelenskyy, tani dëshirojmë të trajtojmë edhe palën ruse të çështjes, duke zhvilluar një takim me presidentin Putin”, tha Erdoğan gjatë fluturimit të kthimit nga Koreja e Jugut.
Ai rikonfirmoi përkushtimin e Ankarasë për vazhdimin e përpjekjeve për paqe, me qëllim përfundimin e konfliktit të vazhdueshëm.
Lidhur me marrëdhëniet me Azerbajxhanin, Erdogan tha se planifikon ta vizitojë këtë vend më 8 nëntor, me rastin e Ditës së Fitores.
“Gjatë kësaj vizite do të kemi mundësinë të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, tha ai.
Ai bëri të ditur se tashmë kishte zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, si dhe kishte dërguar në Azerbajxhan shefin e inteligjencës dhe ministrin e Punëve të Jashtme.
Erdoğan tha se diplomacia telefonike kishte vazhduar edhe me Aliyevin, si dhe mes bashkëshorteve të tyre.
Ai e përshkroi marrëdhënien mes Türkiyes dhe Azerbajxhanit si një “lidhje të pathyeshme, të rrënjosur në historinë dhe fatin e tyre të përbashkët”, duke theksuar se lidhjet mes dy vendeve shkojnë shumë përtej marrëdhënieve të zakonshme diplomatike.
“Nuk ka asnjë pengesë që vëllazëria mes Türkiyes dhe Azerbajxhanit nuk mund ta kapërcejë”, tha ai.
Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA, Erdoğan tha se Ankaraja do të ruajë “dialogun e ngushtë” me administratën amerikane, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.
“Është ende herët për të nxjerrë përfundime të qarta lidhur me ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA në marrëdhëniet Türkiy-ShBA dhe në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Sa i përket procesit “Türkiye pa terrorizëm”, Erdoğan tha se përpjekjet po zhvilloheshin brenda kornizës ligjore.
Ai theksoi nevojën për përfundimin e plotë të proceseve të çarmatimit dhe verifikimit përpara kalimit në fazën e ardhshme.






















