Një shpërthim dhe zjarr në katin e tretë të një pallati në qytetin e Elbasanit në Shqipëri ka shkaktuar paraprakisht vdekjen e një personi dhe lëndimin e dhjetë të tjerëve.
Sipas një njoftimi paraprak nga Policia e Elbasanit, nga ngjarja ka humbur jetën një banore e pallatit e moshës 82-vjeçare, si dhe janë dëmtuar dhjetë banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë është raportuar për shpërthim në pallat duke dëmtuar strukturën e tij, ndërkohë që policia ka njoftuar se zjarri ka rënë në rrethana ende të paqarta.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, e cila në një njoftim ka konfirmuar se të dëmtuarit, përfshirë edhe fëmijë, po e marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.
Ndërkohë, në media është raportuar edhe për një person të zhdukur, ndërsa autoritetet ende nuk i kanë konfirmuar arsyet e zjarrit.






















