Një tërmet me magnitudë 4,7 goditi të mërkurën Gjirin e Akabës, në jug të Jordanisë, duke e shkaktuar aktivizimin e alarmeve në jug të Izraelit dhe ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve në Aeroportin Ramon.
Observatori Sizmologjik i Jordanisë bëri të ditur në një deklaratë se tërmeti u regjistrua në orën 12:24 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 10 kilometrash.
Deklarata nuk specifikoi nëse lëkundjet u ndien nga banorët apo nëse shkaktuan viktima ose dëme materiale në Jordani.
Portali izraelit i lajmeve Ynet raportoi se alarmet e tërmetit u aktivizuan në Eilat, Eilot dhe Zonën Industriale Shahoret, si dhe në Be’er Ora, Eliphaz dhe Minierat Timna në rajonin e Aravës.
Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit pezulloi përkohësisht ngritjet dhe uljet e avionëve në Aeroportin Ramon, ndërsa kryheshin kontrolle të infrastrukturës pas tërmetit të ndier në zonën e Eilatit.
Fluturimet rifilluan më vonë, pasi përfunduan kontrollet.
Policia izraelite tha se nuk ishte raportuar për viktima apo dëme materiale.
Sipas Institutit Gjeologjik të Izraelit, tërmeti ndodhi rreth 30 kilometra në jug të Eilatit.
Gjiri i Akabës është një zonë sizmike aktive. Tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në këtë zonë ndodhi në nëntor të vitit 1995, me magnitudë 7,3.























