| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
BE-ja i kërkon llogaridhënie Serbisë për mungesën e veprimeve ndaj përgjegjësve të sulmit në Banjskë
Zëdhënësi i BE-së kritikoi Serbinë për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimet zgjedhore.
BE-ja i kërkon llogaridhënie Serbisë për mungesën e veprimeve ndaj përgjegjësve të sulmit në Banjskë
BE-ja shpreh shqetësim për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimet zgjedhore në Serbi / َAA

Bashkimi Evropian (BE), përmes zëdhënësit Kristijan Vigand, ka shprehur shqetësim për raportimet për pjesëmarrjen e përgjegjësit kryesor për sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq, në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet në Serbi.

BE-ja po ashtu ka shprehur zhgënjim edhe për mungesën e hapave nga ana e Serbisë për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë.

Zëdhënësi i BE-së, Vigand, ka reaguar pasi mediet publikuan pamje ku shfaqet Millan Radoiçiq duke marrë pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Progresive Serbe, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.

“BE-ja në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që përgjegjësit për sulmet në Banjskë të japin llogari, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Jemi të zhgënjyer se deri më tani Serbia nuk ka ndërmarrë hapa për të arrestuar dhe për t’i proceduar ata që janë në territorin e Serbisë me aktakuza përkatëse”, ka thënë Vigand.

Tutje, ai ka thënë se BE-ja mbetet e shqetësuar për raportet për pjesëmarrjen e përgjegjësit të dyshuar në një tubim parazgjedhor të partisë në pushtet, SNS.

“Presim nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të caktuara të asistencës së ndërsjellë. Kjo çështje është tepër gjatë në pritje dhe duhet të ndiqet në mënyrë të duhur nga Serbia”, ka thënë ai.

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë edhe vet për kryerjen e sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku dhe tre nga sulmuesit.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Autoritetet kosovare deri më tani kanë arrestuar tre nga 45 të akuzuar në rastin Banjska, të cilët gjatë vitit 2025 kanë mohuar akuzat para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale "Kryerja e veprës terroriste", "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit" si dhe "Shpëlarja e parave".

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe ta bashkëngjesin me Serbinë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë