Izraeli akuzoi të hënën Holandën se është bërë "vatër e nxehtë antisemitizmi", pasi autoritetet në qytetin holandez të Alkmaar mbështetën një ndalim për tifozët izraelitë të futbollit që të marrin pjesë në një ndeshje të Ligës së Evropës pavarësisht presionit diplomatik nga Tel-Avivi.
Tifozët e klubit izraelit Hapoel Be'er Sheva janë ndaluar të marrin pjesë në ndeshjen e 15 tetorit kundër AZ Alkmaar, pasi autoritetet lokale e klasifikuan ndeshjen si "rrezik shumë të lartë" për shkak të shqetësimeve për protesta dhe përplasje të mundshme.
Në një deklaratë në X, Ministria e Jashtme e Izraelit pretendoi se vendimi "shpërblen ata që kërcënojnë dhe nxisin dhunë" dhe "bie ndesh me vetë frymën e sportit". Ministria akuzoi autoritetet holandeze se ndaluan "viktimat, jo sulmuesit", duke iu referuar përplasjeve që përfshinin tifozët izraelitë të futbollit në Amsterdam në nëntor 2024.
Ajo pretendon se sulmet antisemite në Holandë po nxiten nga retorika anti-Izrael nga politikanë dhe figura publike holandeze.
Ministria e përshkroi ndalimin, së bashku me bojkotin e Festivalit të Këngës në Eurovizion për shkak të përfshirjes së Izraelit në mes të luftës në Gaza si "një tjetër njollë" mbi Holandën, duke e akuzuar vendin se po bëhet gjithnjë e më shumë një nga "vatrat kryesore të antisemitizmit" në botë.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga autoritetet holandeze ndaj akuzave izraelite. Të hënën "The Times of Israel" raportoi se ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa'ar e kishte ngritur çështjen me homologun e tij holandez, Tom Berendsen ndërsa Izraeli kërkonte të anulonte ndalimin.
Zyrtarët izraelitë kontaktuan Ministrinë e Jashtme të Holandës dhe komunën e Alkmaar-it, duke kërkuar që mbështetësit izraelitë të lejoheshin në stadium dhe që siguria e tyre të garantohej, sipas raportit. Mosmarrëveshja vjen gati dy vjet pas trazirave rreth një ndeshjeje midis Maccabi Tel-Avivit dhe Ajaxit në Amsterdam në nëntor 2024.
Përplasjet u paraprinë nga thirrje raciste dhe anti-palestineze nga mbështetësit izraelitë si dhe incidente vandalizmi dhe grisja e një flamuri palestinez. Në gusht, transmetuesi holandez AVROTROS njoftoi se do të bojkotonte Festivalin e Këngës në Eurovizion 2027 për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, duke shënuar vitin e dytë radhazi të bojkotit të tij.























