| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Të paktën 5 të vdekur dhe 30 të plagosur si pasojë e aksidentit hekurudhor në Pakistan
Kryeministri Shehbaz Sharif shprehu shqetësimin për aksidentin dhe udhëzoi autoritetet të përshpejtojnë përpjekjet e shpëtimit dhe të sigurojnë trajtim të menjëhershëm mjekësor për të plagosurit.
Të paktën 5 të vdekur dhe 30 të plagosur si pasojë e aksidentit hekurudhor në Pakistan
Të paktën 5 të vdekur dhe 30 të plagosur si pasojë e aksidentit hekurudhor në Pakistan


Të paktën pesë persona u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në provincën lindore Punjab të Pakistanit herët të martën, njoftuan mediat lokale. 

Të 14 vagonët e trenit "Rehman Baba Express" dolën nga shinat pranë Urës Sher Shah në Multan, raportoi Geo News, duke cituar zyrtarët e policisë dhe të shpëtimit.

Treni po udhëtonte nga qyteti port jugor i Karaçit për në Peshawarin veriperëndimor kur aksidenti ndodhi rreth orës 5:15 të mëngjesit, sipas një pasagjeri.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar të plagosurit në spitalin e Nishtar në Multan.

Zyrtarët thanë se 13 vagonë janë pastruar, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhduan në vagonin e mbetur.

Kryeministri Shehbaz Sharif shprehu shqetësimin për aksidentin dhe udhëzoi autoritetet të përshpejtojnë përpjekjet e shpëtimit dhe të sigurojnë trajtim të menjëhershëm mjekësor për të plagosurit.

Një pasagjer tha se punëtorët kishin riparuar dadot dhe bulonat në vagonin e nëntë pranë Rohrit përpara daljes nga shinat. Autoritetet nuk e kanë përcaktuar shkakun.

Pakistani ka qenë skenë e disa aksidenteve vdekjeprurëse hekurudhore. Në gusht 2023, të paktën 30 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën kur "Hazara Express" doli nga shinat pranë Nawabshah në provincën jugore Sindh, sipas Geo News.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë