Të paktën 14 nxënës dhe tetë punonjës të arsimit u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë muajit tetor, njoftoi Ministria e Arsimit.
Ministria tha në një deklaratë të publikuar të hënën vonë se nxënësit e vrarë ishin të moshës nga 6 deri në 16 vjeç.
Mes punonjësve të arsimit të vrarë nga zjarri izraelit ishin katër mësues, tre punonjës të Universitetit Islamik, të cilët humbën jetën në një sulm në mjediset e universitetit si dhe një akademike e cila u vra në një sulm izraelit ndaj një apartamenti banimi.
Ministria dokumentoi gjithashtu plagosjen e fëmijëve, nxënësve të shkollave dhe studentëve universitarë si dhe punonjësve të arsimit në sulmet që muajin e kaluar shënjestruan shkollat dhe çadrat e improvizuara për mësimdhënie.
"Gjuajtjet izraelite drejt lagjeve të banuara dhe objekteve arsimore shkaktuan pezullimin ose shtyrjen e orëve mësimore në disa shkolla", thuhet në deklaratë. Ndërprerjet prekën disa zona në pjesën jugore të Khan Younisit, pjesën lindore të Deir al-Balah, kampin e refugjatëve Bureij në Gazën qendrore dhe pjesë të veriut të Rripit të Gazës.
"Vazhdimi i mbylljes së pikëkalimeve dhe bllokadës izraelite ka penguar studentët palestinezë që kanë përfituar bursa jashtë vendit të udhëtojnë, duke bërë që disa prej tyre të humbasin mundësinë për të vazhduar studimet", tha ministria.
"Kufizimet kanë penguar hyrjen e furnizimeve thelbësore të nevojshme për shkollat dhe institucionet arsimore, përfshirë materialet e ndërtimit për riparimin e objekteve të dëmtuara, çadrat për klasat e përkohshme, mobiliet shkollore dhe pajisjet për arsimin profesional dhe nxënësit me aftësi të kufizuara", thuhet në deklaratë.
Ministria tha se mungesa e karburantit ka vështirësuar mundësinë e mijëra nxënësve dhe studentëve për të arritur në shkolla dhe universitete si dhe ka penguar funksionimin e gjeneratorëve të energjisë elektrike të përdorur nga institucionet arsimore.
Ministria i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, agjencive të OKB-së dhe organizatave humanitare dhe për të drejtat e njeriut që të ndërhyjnë për të mbrojtur nxënësit dhe mësuesit, për të ndalur sulmet ndaj institucioneve arsimore dhe për të siguruar hyrjen e furnizimeve të nevojshme për të parandaluar shembjen e sistemit arsimor të Gazës.
Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, 95 për qind e shkollave në enklavë kanë pësuar dëme nga sulmet izraelite që nga tetori i vitit 2023. Më shumë se 20.051 nxënës të moshës shkollore dhe mbi 532 mësues janë vrarë nga tetori i vitit 2023 deri në korrik të vitit 2026, treguan shifrat e publikuara nga Ministria e Arsimit në korrik.
Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë 1.593 palestinezë dhe kanë plagosur 5.748 të tjerë. Armëpushimi pasoi dy vjet luftë gjenocidale të Izraelit në Gaza, e cila ka shkaktuar vrasjen e mbi 74 mijë palestinezëve, ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë dhe ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile të enklavës.























