Katër anije luftarake të NATO-s kanë mbërritur në Gjirin e Vlorës, ku raportohet se do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me Forcën Detare Shqiptare.
Sipas raportimeve në media stërvitja në fjalë realizohet në kuadër të bashkëpunimit ushtarak dhe rritjes së ndërveprueshmërisë mes vendeve aleate.
Në përbërje të grupit detar janë dy anije nga Gjermania, një nga Italia dhe një nga Spanja, të cilat do të qëndrojnë në Gjirin e Vlorës deri më 6 nëntor, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë parashikuar aktivitete portuale dhe stërvitje të përbashkëta.
Ndërkohë theksohet se luftanijet kanë mbërritur në ujërat shqiptare më 2 nëntor dhe do të qëndrojnë deri më 6 nëntor.
Stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit operacional mes forcave detare të vendeve aleate, si dhe rritjen e aftësisë së tyre për të vepruar në mënyrë të koordinuar, rritja e gatishmërisë luftarake dhe përgatitja e personelit ushtarak për angazhime të përbashkëta në kuadër të misioneve të NATO-s.























