Autoritetet izraelite kanë nxjerrë një urdhër ushtarak për sekuestrimin e më shumë se 26 dynymëve tokë palestineze në veriperëndim të Ramallahut, në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi një komision palestinez.
"Urdhri ushtarak, i nxjerrë më 28 tetor, vendos nën kontrollin ushtarak izraelit 26.473 dynymë (6.54 akra) tokë në Deir Nizam, Umm Safa dhe Atara, për ato që Izraeli i cilësoi si 'qëllime ushtarake'", tha Komisioni Palestinez për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit në një deklaratë.
"Toka është caktuar për një rrugë të quajtur aksi emergjent Ateret–Neve Tzuf, që synon të mundësojë lidhjen mes vendbanimeve izraelite në këtë zonë", shtoi komisioni. Sipas deklaratës, urdhri do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2028 dhe i jep ushtrisë izraelite posedimin ekskluziv të itinerarit të përcaktuar në hartat bashkëngjitur urdhrit.
Komisioni tha se 5.891 dynymë (1.46 akra), ose rreth 22.3 për qind e sipërfaqes së sekuestruar, klasifikohen nga autoritetet izraelite si "tokë shtetërore", ndërsa 20.582 dynymë të tjera (5.09 akra) nuk përfshihen në këtë klasifikim.
"Rruga mund të forcojë lidhjet mes vendbanimeve dhe postblloqeve të paligjshme përreth Ateretit dhe Halamishit, i njohur gjithashtu si Neve Tzuf ndërsa mund të vendosë kufizime të mëtejshme në qasjen e pronarëve palestinezë të tokave në parcelat përreth", thuhet në deklaratë.
Komisioni vuri në dukje se urdhri ushtarak parashikon sekuestrimin dhe posedimin e përkohshëm të tokës, në vend të transferimit zyrtar të pronësisë, duke paralajmëruar se përdorimi i saj për infrastrukturë që lidhet me vendbanimet ngre shqetësime për zgjerimin e kontrollit izraelit në këtë zonë.
Autoritetet izraelite kanë përdorur gjithnjë e më shumë urdhra ushtarakë për sekuestrimin e tokave palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar. OKB-ja i konsideron vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përcakton se vendbanimet "nuk kanë vlefshmëri ligjore" ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillimor të korrikut 2024, deklaroi se pushtimi i territorit palestinez nga Izraeli është i paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e vendbanimeve nga Bregu Perëndimor dhe Kudsin Lindor.























