Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë edhe BE-në më të fortë.
Von der Leyen po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni nga kryeministri Edi Rama.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes dhe pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Von der Leyen zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat.
Kryeministri Rama, mbi procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, tha se përgatiten për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, sipas tij para fundit të këtij viti.
"Unë dua të konfirmoj dhe njëherë vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujvëe tanimë të hapur", tha Rama.
Ai theksoi se Plani i Rritjes i BE-së (për Ballkanin Perëndimor) është një nga risitë që për rajonin ka ardhur si mbështetje shumë e madhe. Rama shtoi se për Planin e Rritjes kanë arritur të kapin disa objektiva jashtëzakonisht ambiciozë.
"Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Von der Leyen tha se anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë edhe Bashkimin Evropian më të fortë
Duke folur për procesin e negociatave, ajo tha Shqipëria ka bërë përparim shumë të rëndësishëm.
"Shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër. Objektivi është në horizont. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit. Mund ta jap këtë gjykim pas unë vij çdo vit për të parë ecurinë. Shqipëria ka bërë një ecuri të mrekullueshme", tha ajo.
Shefja e Komisionit Evropian shtoi se nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur. Shefja e KE-së tha ndër të tjera se Shqipëria po ecën vërtet shumë mirë për sa i përket Planit të Rritjes.
"Shqipëria është plotësisht përafruar me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, pra 100 për qind, që do të thotë që ne e shohim botën me të njëjtin sy”, tha ajo.
Presidentja e KE-së pritet të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.























