| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Formohet Forumi i Ohrit për Dialog për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese
Forumi, i inicuar nga gjykata e Maqedonisë së Veriut dhe me mbështetje të gjykatave të Serbisë dhe BeH-së, përfaqëson platformë për bashkëpunim rajonal, shkëmbim të përvojave dhe avancimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave.
Formohet Forumi i Ohrit për Dialog për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese
Formohet Forumi i Ohrit për Dialog për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese / َAA

Me iniciativë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe me mbështetjen e gjykatave kushtetuese të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH), është themeluar Forumi i Ohrit për Dialog, me synim rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.

Siç njofton Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, forumi përfaqëson platformë për bashkëpunim rajonal, shkëmbim të përvojave dhe avancimin e parimeve të pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave kushtetuese.

Në kuadër të forumit, u theksua se besimi në gjykatat kushtetuese përbën një nga vlerat më të rëndësishme të këtyre institucioneve dhe se ndërtimi i tij është çështje sistemore që kërkon angazhim jo vetëm nga gjykatat dhe gjyqtarët, por edhe nga institucionet politike, mediat, komuniteti akademik dhe ai profesional.

Sipas parimeve të forumit, forcimi i pavarësisë së gjykatave kushtetuese lidhet me integritetin personal të gjyqtarëve dhe integritetin institucional të gjykatave. Në këtë drejtim, propozohet miratimi dhe zbatimi i kodeve të sjelljes së gjyqtarëve si dhe forcimi i vazhdueshëm i profesionalizmit dhe kompetencave të tyre.

Në të njëjtën kohë, theksohet se paraqitjet publike të gjyqtarëve duhet të respektojnë kufizime të qarta, përfshirë mos diskutimin e çështjeve në proces, shmangien e paragjykimit të rezultateve të procedurave dhe ruajtjen e kredibilitetit dhe autoritetit institucional të gjykatave.

Sa i përket efikasitetit, theksohet rëndësia e përdorimit të teknologjive moderne, përfshirë sistemet për menaxhimin e lëndëve, bazat e të dhënave dhe qasjen e lehtë në praktikën gjyqësore vendore, të huaj dhe ndërkombëtare.

Dokumenti thekson rolin e rëndësishëm të mediave në garantimin e transparencës së punës së gjykatave dhe informimin e publikut. Për këtë qëllim, propozohet trajnim dhe specializim i vazhdueshëm i gazetarëve si dhe bashkëpunim profesional dhe parimor ndërmjet gjykatave dhe mediave.

Forumi propozon hartimin e një Memorandumi për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese, i cili do të përcaktonte standarde të përbashkëta për transparencën, tregues dhe metodologji për matjen e besimit të publikut, analiza periodike të rezultateve dhe bashkëpunim rajonal në zhvillimin e bazave të të dhënave për praktikën kushtetuese.

Themelimi i Forumit të Ohrit për Dialog është rezultat i diskutimeve në konferencën rajonale të mbajtur më 16 dhe 17 shtator 2026 në Ohër, të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik (IRZ).

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë