Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Marrëveshja u arrit dje në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas bisedave mes përfaqësuesve politikë shqiptarë të Luginës.
Kryeministri Albin Kurti tha se, pas përpjekjeve për afrim të qëndrimeve, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët.
Ai falënderoi përfaqësuesit politikë shqiptarë duke thënë se ata treguan gatishmëri që, përtej dallimeve, të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Sipas Kurtit, bashkimi politik te “Koalicioni Shqiptar” nuk është i mjaftueshëm, pasi sipas tij, asimetria e të drejtave është padrejtësi.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, tha Kurti.
Ai shtoi se përfaqësimi i garantuar duhet të vlejë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, me respekt të njëjtë për barazinë dhe të drejtat.
Kurti përmendi mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimin e drejtë në institucione publike dhe zhvillimin ekonomik si çështje me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ai tha se gjuha, kultura, simbolet dhe kujtesa janë pjesë e identitetit shqiptar dhe e përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre”, tha Kurti.























