Mijëra hebrenj ultra-ortodoksë protestuan në Kudsin Perëndimor të martën kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak, raportuan mediat izraelite.
Televizioni izraelit "Channel 12" tha se tubimi u mbajt në nder të atyre që i shmangen rekrutimit ushtarak të liruar së fundmi nga burgu ushtarak.
Marshimi filloi në lagjen Geula, duke detyruar mbylljen e disa rrugëve, tha kanali. Ai shtoi se ata që i shmangeshin rekrutimit ushtarak pritej të merrnin qindra shekel secili në fund të tubimit.
E përditshmja izraelite "Yedioth Ahronoth" tha se burrat e liruar së fundmi mbërritën me autobus dhe u pritën me entuziazëm nga protestuesit.
Demonstruesit mbanin pankarta me mbishkrimet "Lironi pengjet nga Burgu 10. Ata kurrë nuk do të shërbejnë në ushtrinë armike" ndërsa të tjerë mbanin pankarta me mbishkrimin "Më mirë të vdesim sesa të rekrutohemi".
Debati mbi shërbimin ushtarak është intensifikuar që kur Gjykata Supreme e Izraelit vendosi në qershor 2024 se burrat ultra-ortodoksë hebrenj i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe urdhëroi pezullimin e financimit shtetëror për institucionet fetare, studentët e të cilëve refuzojnë të rekrutohen.
Hebrenjtë ultra-ortodoksë përbëjnë rreth 14 për qind të popullsisë së Izraelit prej më shumë se 10 milionë banorësh. Shumica e tyre kundërshtojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke argumentuar se studimi me kohë të plotë i Torahs duhet të ketë përparësi dhe se shërbimi ushtarak kërcënon mënyrën e tyre fetare të jetesës.























