| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kosovë, gjendet municion në vendin ku po kryhen gërmimet për mbetjet mortore
Gjatë ditës së sotme, autoritetet serbe arrestuan një qytetar të nacionalitetit serb nga Kosova me inicialet R.T. i dyshuar se bashkëpunoi me autoritetet kosovare lidhur me varrin masiv në Kalludër të Zubin Potokut.
Kosovë, gjendet municion në vendin ku po kryhen gërmimet për mbetjet mortore
Kosovë, gjendet municion në vendin ku po kryhen gërmimet për mbetjet mortore/ AA

Autoritetet kosovare kanë gjetur municion i cili dyshohet si u përket forcave serbe në vendin ku po kryhen gërmimet për mbetjet mortore në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut.

Këtë e kanë bërë të ditur disa burime mediatike për televizionin shtetëror të Kosovës.

Pritet që autoritetet shtetërore të japin më shumë informacione lidhur me këtë detaj në vijim.

- Serbia arreston “spiunin” për varrin masiv në Kalludër

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, autoritetet serbe arrestuan një qytetar të nacionalitetit serb nga Kosova me inicialet R.T. i dyshuar se bashkëpunoi me autoritetet kosovare lidhur me varrin masiv në Kalludër të Zubin Potokut, raportojnë mediat vendase.

I arrestuari me inicialet R.T. dyshohet se, “për një periudhë të gjatë kohore, ka qenë në marrëdhënie bashkëpunimi me autoritet e Kosovës, duke mbledhur dhe dërguar të dhëna për aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të Ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së Serbisë”, sipas mediеve serbe.

Sipas autoriteteve serbe, kjo ka sjellë si pasojë arrestimin e disa personave të nacionalitetit serb në Zubin Potok, ngaqë tri ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy serbë nën dyshimin se gjatë luftës, kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës dhe më vonë gjatë ditës, Prokuroria njoftoi se lidhur me këtë rast po kryhen gërmime në një fshat të Zubin Potokut pas dyshimeve për mbetje mortore që mund t'iu përkasin personave të zhdukur në luftën e Kosovës.

Njoftimin për arrestimin e R.T, ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimitare i Kosovës, Andin Hoti, e ka quajtur tentim-vrasje ndaj së vërtetës. Hoti në rrjetet sociale shkroi se arrestimi i një personi nën dyshimin se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive është dëshmia më e qartë se Serbia po e lufton të vërtetën dhe vazhdon t’i fshehë kriminelët dhe krimet e luftës.

“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet. Kjo nuk është mungesë bashkëpunimi. Kjo është sabotim i drejtpërdrejtë i procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe shkelje e frymës së Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel”, ka shkruar Hoti.

Të martën, në fshatin Kalludër në komunën e Zubin-Potokut, kanë dalë ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe janë mbështetur edhe nga ekipe të EULEX-it. Deri më tani është konstatuar se aty ka trupa njerëzish. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së këtij varri masiv dhe ka thënë se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.