Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku me votë të delegatëve është rikonfirmuar kreu i partisë, Lumir Abdixhiku.
Gjithsej 330 delegatë pjesëmarrës nga 355 sa ka gjithsej kjo parti vendosën me votën e tyre për rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut në pozitën e kreut të partisë.
Prijësja e LDK-së në zgjedhjet e fundit të 7 qershorit, ish-presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së, duke thënë se kjo është një fitore jo e zakonshme.
“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, ka shkruar Osmani.
Para se delegatët të votonin për ose kundër shkarkimit të kryetarit të partisë, Abdixhiku iu drejtua atyre me një fjalë rasti, ku e quajti “nismë të gabuar, të pa vend dhe të pa kohë” kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e tij.
Ai tha se e konsideron të tillë “sepse vjen në mënyrë të njëanshme, të ndjeshme për vendin, përcaktuese për partinë”.
Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, LDK-ja doli partia e tretë më e votuar në vend, ndërsa zgjedhjet i fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e udhëhequr nga kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti.
LVV-ja dhe LDK-ja sapo e kishin nisur procesin e dialogut me qëllim të arritjes së një marrëveshje për koalicion qeverisës, por dialogu u ndërpre nga Abdixhiku, i cili e konsideroi të pakuptimtë vazhdimin e dialogut për koalicion derisa brenda partisë po konsiderohet shkarkimi i tij. Tani pritet që ditëve në vijim Abdixhiku të ulet përsëri me Kurtin për të gjetur një pajtueshmëri për bashkëqeverisje.
LDK-ja është partia më e vjetër shqiptare në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga intelektualë e shkrimtarë të asaj periudhe, ndër të cilët ishte edhe ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.




















