Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se më 26 maj në Bruksel do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që sipas tij "vulos me sukses fazën hyrëse" dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, dhe sipas tij "për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE".
"Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Evropiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton", ka shkruar Rama.
Rama foli edhe lidhur me pretendimet dhe reagimet nga partitë opozitare në Shqipëri në lidhje me procesin e negociatave.
"U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Evropë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi", tha Rama.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërsa synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.






















