| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Tragjedi në qarkoren e Shkupit: Katër persona humbin jetën në përplasje mes kamionit dhe një veture
Nga përplasja ka shpërthyer zjarr në të dy automjetet, ndërsa vetura dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht.
Tragjedi në qarkoren e Shkupit: Katër persona humbin jetën në përplasje mes kamionit dhe një veture
Tragjedi në qarkoren e Shkupit: Katër persona humbin jetën në përplasje mes kamionit dhe një veture / Alsat.mk

Katër persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në unazën e Qytetit të Shkupit në Maqedoninë e Veriut, mes mbikalimit Vizbeg dhe nyjës Mirkovc.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 21 maj 2026, rreth orës 23:00, B.B. (76) nga Kosova, duke drejtuar një kamion të tipit “MAN” me gjysmërimorkio dhe targa të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka kaluar përmes gardhit metalik dhe ka hyrë në kahun e kundërt të autostradës.

Aty është përplasur me një veturë të tipit “BMW” me targa të Shkupit, të drejtuar nga R.V. (51) nga Shkupi.

Nga përplasja ka shpërthyer zjarr në të dy automjetet, ndërsa vetura dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht. Zjarri është lokalizuar dhe shuar nga Brigada për Mbrojtje Kundër Zjarrit e Shkupit.

Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes kanë humbur jetën shoferi i BMW-së, R.V., si dhe bashkëudhëtarët A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi. Viktimë ka mbetur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Vdekjen e personave e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat janë dërguar për obduksion.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se shoferi i kamionit është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Për shkak të ekspertizës në vendngjarje, trafiku në këtë aks ka qenë i ridrejtuar nga ora 23:10 deri në ora 05:00, ndërsa më pas është normalizuar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë