Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane e demokratike.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama u fokusua tek inteligjenca artificiale, kryesisht te përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të saj.
Rama theksoi se duhet një inteligjencë artificiale që është e verifikueshme, transparente dhe llogaridhënëse, sipas tij, e ndërtuar nga shoqëri të lira, ndarë mes aleatësh dhe vënë në shërbim të qytetarëve.
"Shqipëria nuk është zhvilluese e modeleve të fjalës së fundit, por jemi një komb që e kemi jetuar tashmë të ardhmen që të tjerë ende janë duke e debatuar. Mendoj që mesazhi që ju detyrohemi është një mesazh tejet i thjeshtë. Rreziku i menjëhershëm e më i madh nuk është se inteligjenca artificiale do të ndalet së binduri njerëzimit. Rreziku më i madh do të jetë që do t'i bindet në mënyrë të përkryer individit të gabuar", u shpreh Rama.
Rama shtoi se mund të ndërtojnë një inteligjencë artificiale që mëson, në vend që thjesht të përgjigjet, që orienton, në vend që thjesht të komandojë dhe sipas tij që fuqizon qenien njerëzore "në vend që qenia njerëzore të bëhet e varur prej saj".
"Shqipëria u bë vendi i parë që solli një instrument të inteligjencës artificiale në arkitekturën e qeverisë përmes Diellës (Ministrja e parë virtuale në kabinetin qeveritar të Shqipërisë), ministrja jonë e njohur botërisht e inteligjencës artificiale dhe nuk e bëmë këtë për të transferuar sovranitetin nga njerëzit te makina. E bëmë për t'i bërë shërbimet publike më të aksesueshme, procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës", tha Rama.
Duke theksuar se Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e vetë modeste, Rama u shpreh ndër të tjera: "Ne kemi zgjedhur përshpejtimin, jo dorëzimin. Kemi zgjedhur inovacionin, jo abdikimin. Kemi zgjedhur rritjen e jo atrofizimin e aftësisë njerëzore. Kemi zgjedhur lirinë e shprehjes".


















