Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur operacionet e saj nga sanksionet e reja të mundshme amerikane që synojnë institucionin në tërësi, tha zëvendësprokurorja Nazhat Shameem Khan në një intervistë të botuar sot.
"Ne kemi bërë shumë punë për të siguruar që gjykata të jetë e mbrojtur nga ndikimet e çdo sanksioni të mundshëm në të ardhmen", tha Khan për "Financial Times".
Ajo tha se zyrtarët e GJNP-së kanë dëgjuar zëra për masa të mëtejshme, por nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar. Kërcënimi i raportuar vjen pas sanksioneve të SHBA-së ndaj zyrtarëve individualë të gjykatës, përfshirë Khan, të vendosura gjatë vitit të kaluar.
Sipas saj, gjykata ka zhvendosur softuerin e saj të zyrës nga Microsoft në OpenDesk të Gjermanisë dhe ka bërë marrëveshje për të kufizuar ndërprerjet e mundshme në banka, sigurime shëndetësore dhe listën e pagave. Stafi gjithashtu është paguar muaj më parë.
"Përgatitjet mbeten një punë në progres", tha ajo. Administrata amerikane ka sanksionuar tashmë 13 zyrtarë të GJNP-së, përfshirë nëntë nga 18 gjyqtarët e gjykatës, sipas raportit. Masat kanë kufizuar aksesin e disa zyrtarëve në kartat e kreditit dhe shërbime të tjera amerikane, shtoi ai.
Kërcënimi i fundit vjen në mes të kritikave të reja ndaj GjNP-së nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili u bëri thirrje vendeve anëtare të tërhiqen nga gjykata gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.
Kritikat e Uashingtonit u intensifikuan pasi GjNP-ja lëshoi urdhër-arreste në vitin 2024 për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara lufte në Gaza. ShBA-ja dhe Izraeli nuk janë anëtarë të GjNP-së. Gjykata e bazon juridiksionin e saj në këtë çështje në anëtarësimin e Palestinës.






















