Në Shqipëri është mbajtur ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për studentët pjesëmarrës në programin e Shkollës Rinore Ballkanike 2026.
Shkolla Rinore Ballkanike 2026 është organizuar nga Shoqata e të Diplomuarve në Türkiye e Shqipërisë (TUMED), në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit “New York” në Tiranë (UNYT), ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të organizatave të ndryshme, studiues dhe studentë.
Në fjalën e tij, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, falënderoi YTB-në dhe TUMED-in për realizmin e projektit.
"Marrëdhëniet e Türkiyes me Shqipërinë kanë rrënjët e thella në të kaluarën. Por nuk është e mjaftueshme kjo. Duhet patjetër që të ndërtojmë edhe marrëdhëniet në të ardhmen tonë dhe shpresoj që përmirësimin e marrëdhënieve ta bëjmë nëpërmjet jush (të të rinjve). Shpresoj që nëpërmjet jush të kemi dhe zhvillime të mëtejshme për bashkëpunimin tonë. Dorë për dore do t’i çojmë dhe më tej marrëdhëniet e Shqipërisë me Türkiyen", tha ambasadori turk.
Koordinatori i YTB-së për Ballkanin, Umut Deniz Oncel, tha se shpreson që Shkolla Rinore Ballkanike do të vazhdojë t’i formësojë mendjet e të rinjve të Ballkanit, sipas tij për të mirën e vendeve të tyre dhe të botës.
"Kryesia jonë kontribuon në programin e Shkollës Rinore Ballkanike për ta forcuar zhvillimin akademik dhe kulturor të të rinjve që marrin arsim të mesëm dhe universitar në vendet e Ballkanit. Shkolla Rinore Ballkanike, e cila u zbatua për herë të parë nga kryesia jonë në 2016, feston 10-vjetorin këtë vit", theksoi Oncel.
Kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, e konsideroi veprimtarinë të rëndësishme që nuk kontribuon vetëm në zhvillimin e të rinjve, por sipas tij përbën gjithashtu një nga shembujt më të bukur të vëllazërisë, solidaritetit dhe shkëmbimit kulturor në hapësirën ballkanike.
"Projekti ynë synon të bashkojë kultura të ndryshme dhe mendje të reja, duke ndërtuar ura të forta për një të ardhme të përbashkët. Të rinjtë tanë këtu nuk kanë zhvilluar vetëm njohuritë dhe aftësitë e tyre, por kanë forcuar gjithashtu ndjenjat e miqësisë dhe vëllazërisë", tha Haxhiu.
Shkolla Rinore Ballkanike 2026 zgjati disa javë dhe në seminaret e saj morën pjesë dhjetëra të rinj që kanë studiuar apo studiojnë në degë të ndryshme, ndërkohë u trajtuan çështje nga fusha e kulturës, arsimit, historisë, ekonomisë, politikës dhe të tjera.




















