| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Irani rinis të shtunën fluturimet drejt Stambollit dhe Muskatit në kuadër të armëpushimit
Autoritetet e aeroportit thanë se deri më tani janë autorizuar fluturime vajtje-ardhje drejt Stambollit dhe Muskatit, ndërsa lejet për linja të tjera të brendshme dhe ndërkombëtare do të jepen sipas kërkesës.
Irani rinis të shtunën fluturimet drejt Stambollit dhe Muskatit në kuadër të armëpushimit
Irani të shtunën rifillon fluturimet ndërkombëtare drejt Istanbulit dhe Muskatit në kuadër të armëpushimit / AA

Irani do të rifillojë fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve nga aeroporti ndërkombëtar “Imam Khomeini” në Teheran, duke filluar nga e shtuna, me Stambollin dhe Muskatin ndër destinacionet e para.

Drejtori ekzekutiv i aeroportit “Imam Khomeini”, Ramin Kashef Azar, tha për agjencinë “ILNA” se fluturimet e pasagjerëve të huaj do të rifillojnë më 25 prill, pasi ishin pezulluar gjatë luftës. Ai sqaroi se deri më tani janë autorizuar fluturime vajtje-ardhje drejt Stambollit dhe Muskatit, ndërsa lejet për linja të tjera të brendshme dhe ndërkombëtare do të jepen gradualisht sipas kërkesës.

“Të gjitha infrastrukturat dhe sistemet e navigimit janë plotësisht funksionale dhe nuk ka probleme për zhvillimin e fluturimeve”, saktësoi Azari. Gjatë periudhës së armëpushimit, shtoi ai, aeroporti ka vazhduar të funksionojë për transport mallrash, ndërsa linjat ajrore të huaja kanë zhvendosur avionët e tyre prej tij.

Fluturimet e brendshme rifillojnë gradualisht

Ndërkohë, sipas agjencisë shtetërore “IRNA”, linja ajrore kombëtare iraniane “Iran Air” ka nisur rikthimin e shërbimeve të pasagjerëve të brendshëm në fillim të kësaj jave, me fluturimin e parë në linjën Teheran-Meshhed më 22 prill.

Linja ajrore është planifikuar të vazhdojë fluturimet e brendshme më 25 dhe 26 prill si pjesë e kthimit gradual të operacioneve në normalitet. Rifillimi i fluturimeve vjen pas ndërprerjes së madhe të trafikut ajror pas fillimit të luftës më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndërmorën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, duke nxitur kundërsulme nga Teherani.

Lufta është pezulluar që nga 8 prilli në kuadër të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Pakistani. ShBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime në Pakistan fundjavën e kaluar, ndërsa po bëhen përpjekje për organizimin e një raundi të ri negociatash.

Të martën, Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se armëpushimi do të mbetet në fuqi pas një kërkese nga Pakistani, derisa Irani të paraqesë atë që ai e quajti “një propozim të unifikuar”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë