| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Türkiye bën thirrje për forcim të bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike dhe tregtisë së gjelbër
Ministri turk i Tregtisë kërkon zinxhirë të besueshëm të furnizimit, financim të përballueshëm dhe projekte të përbashkëta të gjelbra mes shteteve turke.
Türkiye bën thirrje për forcim të bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike dhe tregtisë së gjelbër
Türkiye bën thirrje për forcim të bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike dhe tregtisë së gjelbër / َAA

Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mineraleve kritike, teknologjive të pastra dhe financimit, me qëllim përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

Duke folur në takimet e zhvilluara gjatë samitit të OKB-së për klimën COP31 në Antalya, Bolat u bëri thirrje vendeve të koordinojnë masat tregtare që lidhen me klimën dhe t'i shndërrojnë objektivat mjedisore në investime konkrete dhe projekte të përbashkëta.

“Qasja në mineralet kritike është bërë një element gjithnjë e më i rëndësishëm i marrëveshjeve ndërkombëtare tregtare, partneriteteve të investimeve dhe bashkëpunimit industrial”, tha Bolat në një panel të organizuar nga Ministria e Tregtisë e Türkiyes dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

“Prandaj, duhet të krijojmë zinxhirë të diversifikuar dhe të besueshëm të furnizimit, të lehtësojmë tregtinë e mallrave mjedisore dhe teknologjive të pastra, si dhe të nxisim partneritete që krijojnë vlerë për vendet tona”, shtoi ai.

Bolat tha se teknologjitë e energjisë së rinovueshme, bateritë, automjetet elektrike dhe sistemet e ruajtjes së energjisë mbështeten te lëndët e para kritike, ndërsa rritja e kërkesës po nxjerr në pah cenueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.

Ai theksoi se bashkëpunimi rregullator dhe qasja në teknologji nuk do të ishin të mjaftueshme pa investime, veçanërisht për ekonomitë në zhvillim dhe bizneset e vogla që përballen me kosto më të larta të kapitalit.

Ai tha se institucionet financiare ndërkombëtare, qeveritë dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë për të siguruar financim të përballueshëm, për të lehtësuar transferimin e teknologjisë dhe për të forcuar kapacitetet prodhuese.

Ai shtoi se standardet e përbashkëta dhe njohja digjitale e të dhënave për emetimet, certifikatave dhe dokumenteve tregtare mund të ndihmojnë gjithashtu në uljen e kostove.

Shtetet turkike synojnë projekte të përbashkëta të gjelbra

Duke folur në takimin e parë ministror të Partneritetit për Klimën, Inovacionin, Ekonominë e Gjelbër dhe Tregtinë të Organizatës së Shteteve Turkike, Bolat tha se Türkiye ishte e gatshme ta ndante përvojën e saj në tranzicionin e gjelbër.

“Synojmë të krijojmë një agjendë të përqendruar te zbatimi, në të cilën objektivat mjedisore dhe klimatike të shndërrohen në politika konkrete, investime dhe projekte të përbashkëta”, tha ai.

Bolat theksoi se Türkiye po zhvillonte infrastrukturën për fazën pilot të sistemit të saj kombëtar të tregtimit të emetimeve, ndërsa taksonomia e gjelbër po ndihmonte në lehtësimin e qasjes në financim.

Ai u bëri thirrje shteteve turkike ta thellojnë bashkëpunimin në monitorimin e emetimeve, gjurmën e karbonit të produkteve, certifikimin e gjelbër dhe gjurmueshmërinë digjitale.

“Fondi i Investimeve Turkike do t'i mbështesë projektet e përbashkëta në energjinë e rinovueshme, efiçiencën energjetike dhe ekonominë e gjelbër”, tha ai, duke shtuar se Deklarata Ministrore e Antalyas, e nënshkruar sot, synon ta çojë përpara zbatimin e këtyre nismave.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Turkike (OST), Mirvokhid Azimov, tha se vëllimi tregtar i vendeve anëtare arriti në rreth 1 trilion dollarë deri në fund të vitit 2025, ndërsa popullsia e tyre e përgjithshme tejkalonte 170 milionë banorë.

Ai shtoi se Fondi i Investimeve Turkike, me një kapital prej 600 milionë dollarësh, kishte nisur gjithashtu të mbështeste bizneset, infrastrukturën, tregtinë dhe investimet.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë