Türkiye dhe Katari nënshkruan të premten pesë marrëveshje në fushat e tregtisë, arsimit, diplomacisë dhe mbrojtjes, pas bisedimeve në Istanbul mes presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dhe emirit të Katarit, sheikut Tamim bin Hamad Al Thani.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe, pas bisedimeve me dyer të mbyllura dhe atyre në nivel delegacionesh, në kuadër të takimit të 12-të të Komitetit të Lartë Strategjik Türkiye–Katar.
Erdoğan dhe Al Thani nënshkruan një marrëveshje për mbrojtjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, dhe sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Katarit, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e paqes, pajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve.
Dy ministrat nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët pas takimit të 12-të të komitetit.
Ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat, dhe ministri i Tregtisë dhe i Industrisë i Katarit, sheiku Faisal bin Thani bin Faisal Al Thani, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për mbrojtjen e konsumatorëve, mbikëqyrjen dhe inspektimin e tregut.
Ministri i Arsimit Kombëtar i Türkiyes, Yusuf Tekin, dhe ministri i Shtetit i Katarit, Mohammed bin Abdulaziz Al-Khulaifi, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në arsim.
Më herët, Erdoğan e priti emirin e Katarit me një ceremoni zyrtare në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe.
Dy udhëheqësit prezantuan delegacionet e tyre përpara bisedimeve me dyer të mbyllura, ku morën pjesë edhe Fidan dhe kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Türkiyes (MIT), İbrahim Kalın.




















