Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha të premten se Türkiye dhe Katari do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të parandaluar rindezjen e luftës në rajonin e Gjirit, për të krijuar kushte për dialog dhe për të arritur paqen. Ai theksoi rëndësinë e bindjes së palëve që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes diplomacisë.
Gjatë takimit me emirin e Katarit, sheikun Tamim bin Hamad Al Thani, në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe të Istanbulit, Erdoğan diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale e globale, sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes në rrjetet sociale.
Erdoğan tha se Marrëveshja për Mbrojtjen e Ndërsjellë, e nënshkruar po atë ditë mes Türkiyes dhe Katarit, do t’u japë një dimension të ri marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas tij, Marrëveshja për Partneritet Tregtar dhe Ekonomik, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar, i ka afruar të dyja vendet me objektivin e përbashkët për vëllimin e tregtisë dypalëshe.
Erdoğan shtoi se Türkiye po punon për ta zhvilluar dhe për ta diversifikuar partneritetin energjetik me Katarin dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të vazhdojë të zgjerohet.




















