Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për fermerët në Shqipëri, ndërkohë një nga projektet e fundit është shpërndarja e multikultivatorëve për fermerët në Qarkun e Tiranës.
Në aktivitetin e organizuar në Tiranë për këtë projekt që përfshin shpërndarjen e 53 multikultivatorëve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare dhe fermerë.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij tha se TIKA në Shqipëri ka realizuar më shumë se 700 projekte në fusha të ndryshme, si arsimi, kultura dhe deri te bujqësia.
"Midis Shqipërisë dhe Turqisë është një lidhje e fortë historike që i ka rrënjët vërtet të thella. Këto rrënjë dhe këto lidhje janë në të gjitha fushat, qofshin ato politike, kulturore dhe njerëzore. Por, ajo që i bën këto lidhje edhe më të rëndësishme dhe më të forta është lidhja njerëzore, sepse ne në fund të ditës ju shikojmë të gjithë ju si vëllezërit dhe motrat tona. Prandaj, ne si Türkiye kur realizojmë projekte shikojmë që të realizojmë ato projekte të cilat e prekin sa më afër jetën e njerëzve", tha ambasadori Erciyes.
Duke folur edhe për ndihmën ndaj fermerëve, ambasadori turk u ndal edhe në ndihmën e Türkiyes në vitet e kaluara, duke veçuar banesat për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019 në Laç të Bashkisë Kurbin dhe Spitalin Rajonal Memorial në Fier.
Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Murat Olçenoglu tha se janë munduar gjatë gjithë kohës që të realizojnë në Shqipëri projekte të cilat prekin nga afër jetën e njerëzve dhe sipas tij ofrojnë kontributin e tyre për jetën e përditshme.
"Një nga projektet është edhe ky. Në kuadër të projekti për fermerët në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës arritëm që të sigurojmë 53 multikultivatorë për fermerët. Urojmë që këto multikultivatorë të sjellin bollëk, bereqet dhe një punë sa më të mbarë", tha Olçenoglu.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, duke shprehur falënderimet e tij për TIKA-n sipas tij për kontributin dhe bashkëpunimin, tha se aktiviteti i sotëm shënon një hap konkret në mbështetjen e fermerëve të zonave rurale të Bashkisë Tiranë.
"Ndërmjet projektit ‘fermerr’ ne synojmë t’u krijojmë fermerëve më shumë mundësi për ta modernizuar aktivitetin e tyre, për ta lehtësuar punën e përditshme dhe për të rritur produktivitetin. Kjo mbështetje ka dhënë rezultate konkrete ndër vite. Këto pajisje do të ndihmojnë në lehtësimin e punimit të tokës, kursimin e kohës dhe përmirësimin e kushteve të punës në fermë", tha Vorpsi.























