| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën
Kosova e gatshme për normalizim të marrëdhënieve, por Beogradi mbetet pengesa kryesore për paqen, thotë kryediplomati kosovar në Nju Jork.
Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën
Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia ta pranojë realitetin dhe të njohë Kosovën / Glauk Konjufca / X
7 orë më parë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i bëri thirrje Serbisë të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Konjufca adresoi se Kosova mbetet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe të fqinjësisë së mirë, por se, sipas tij, pengesa e vetme në këtë proces është Serbia.

“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet, megjithatë pengesa për paqen dhe normalizimin mbetet Serbia, e cila nuk është e interesuar as për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe as për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. I bëjmë thirrje Serbisë të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të mos mbajë të gjithë rajonin peng të hegjemonisë”, tha Konjufca.

Duke folur për zhvillimet e brendshme, Konjufca theksoi se, pavarësisht përparimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi vazhdon, sipas tij, të luajë një rol destruktiv përmes përpjekjeve për të ndikuar në proceset politike.

Sipas tij, Serbia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet në Kosovë dhe të mbështesë Listën Serbe, me qëllim sigurimin e ndikimit politik përmes institucioneve lokale.

“Beogradi ka vazhduar të luajë një rol destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje dhe të mbështesë Listën Serbe, me synimin që të reflektojë linjën e tij politike përmes një partie në pushtet. Ne kemi parandaluar ndërhyrje të tilla të jashtme dhe kemi arritur ta ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, tha Konjufca.

Ai përfundoi se Kosova do të vazhdojë të forcojë institucionet e saj dhe të angazhohet për stabilitet, duke këmbëngulur që marrëdhëniet me Serbinë të bazohen në njohje të ndërsjellë.

Në këtë seancë, shefi i ri i UNMIK-ut, Peter Due, prezantoi për herë të parë raportin mbi punën e misionit. Këshilli i Sigurimit për herë të fundit ka diskutuar për situatën në Kosovë dhe punën e UNMIK-ut në tetor të vitit të kaluar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë