| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë
Gjatë seancës u votua edhe pro dekretit të presidentit Bajram Begaj, për emërimin e Klodiana Spahiut në detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale.
Fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë
Fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë/ AA

Sesioni i tretë i Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Shqipërisë ka filluar sot zyrtarisht punimet.

Gjatë seancës u votua edhe pro dekretit të presidentit Bajram Begaj, për emërimin e Klodiana Spahiut në detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale.

Spahiu zëvendëson në këtë post ish-ministren Evis Sala, e cila dha dorëheqjen disa ditë më parë. Pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë, Spahiu do ta marrë zyrtarisht detyrën.

Në seancën e parë plenare të sesionit të ri, mbajti një fjalë përshëndetëse kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili u fokusua në disa çështje.

Peleshi tha gjatë fjalës së tij se gjatë këtij sesioni do të punojnë në tri drejtime kryesore, me fokus sipas tij përafrimi i legjislacionit, intensifikimi i diplomacisë parlamentare dhe përgatitja për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian (BE).

"Kuvendi do t'i shqyrtojë me përparësi projektligjet që lidhen me standardet e BE-së dhe me përmbushjen e detyrimeve të negociatave duke u fokusuar te rezultatet. Ndaj, pas riorganizimit të tij, do të rrisim bashkëpunimin ndërmjet shërbimit legjislativ, strukturave përgjegjëse për përafrimin dhe Institutit Parlamentar. Do të forcojmë kontrollin post-legjislativ, sepse detyra e Kuvendit nuk përfundon kur një ligj votohet, por vazhdon edhe gjatë zbatimit dhe vlerësimit të efekteve të tij", tha ai.

Kryeparlamentari Peleshi theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE kërkon mbështetjen e institucioneve evropiane, të qeverive dhe të parlamenteve të vendeve anëtare. Ai shtoi se kontaktet dinamike me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së do të vazhdojnë.

"Gjatë këtij sesioni do të fillojmë punën për t’u përgatitur edhe për mënyrën se si Shqipëria do të funksionojë si një vend anëtar me të drejta të plota. Kjo kërkon plotësime ligjore dhe institucionale, një infrastrukturë të përshtatshme për pjesëmarrjen në proceset e vendimmarrjes evropiane dhe përgatitjen e administratës për përgjegjësitë e reja. Nuk do të presim ditën e anëtarësimit për t'i filluar përgatitjet për anëtarësimin, por do të fillojmë që sot", tha ndër të tjea Peleshi.

Peleshi theksoi se çështje të rëndësishme të këtij sesioni mbeten edhe reforma zgjedhore dhe reforma administrative-territoriale, që sipas tij janë dy procese të ndryshme.

Ndërkohë, në nisje të sesionit të ri parlamentar, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka drejtuar një mesazh Kuvendit, duke theksuar se hapja e sesionit të ri është një moment për të reflektuar mbi rezultatet, për t'i identifikuar sfidat prioritare dhe për ta programuar në mënyrë më efektive e institucionale punën e ardhshme.