Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zhvilluar stërvitje me qitje me mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra në Shqipëri.
Stërvitja u mbajt në poligonin e armëve të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në kuadër të trajnimeve për artilerinë dhe zjarrin indirekt.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se pjesëtarët e FSK-së treguan nivel të lartë përgatitjeje profesionale dhe disipline gjatë realizimit të qitjeve.
Sipas tij, stërvitjet e përbashkëta me Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të FSK-së në artileri, si dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
Maqedonci theksoi gjithashtu se aktivitetet e përbashkëta kontribuojnë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave të Kosovës dhe Shqipërisë.

























