Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar historik sipas tij rekomandimin e Komisionit Evropian (KE) që në vitin 2027 të nisin përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Gjatë fjalës në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, mbi projektbuxhetin e vitit 2027, Rama tha se "historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re evropiane".
"Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian ka një togfjalësh që i thotë të tëra, që i thotë të tëra arsyet pse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsyet pse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë, që i thotë të tëra arsyet pse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë. Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit Evropian që në vitin 2027, pra në vitin që po troket, të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE", është shprehur Rama.
Kryeministri Rama, duke iu drejtuar edhe deputetëve të opozitës, shtoi se nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë që e ai e konsideroi historik t'i bëhet Këshillit nga Komisioni Evropian, në rast se vendi do të ishte ai "që përpiqen me këmbë e me duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën".
Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.
"Kemi zgjedhur rrugën e rritjes së ekonomisë"
Duke folur për projektbuxhetin për vitin 2027, Rama e konsideroi një buxhet historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë, sipas tij shteti shqiptar ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove.
"Ky buxhet është i rëndësishëm, jo vetëm për këtë fakt, ky fakt është thjesht domethënës përsa i takon rritjes së mundësive të ekonomisë sonë. Ky buxhet është i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër, për faktin që kjo shumice qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet, ul drejtpërdrejt pikërisht atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme në Shqipëri edhe në Evropë po të doni, në rajon po se po, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vazhduar të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë më në nevojë", tha Rama.
Ai theksoi se kanë zgjedhur rrugën e krijimit të mundësive të reja, duke besuar sipas tij tek zhvillimi, sipërmarrja dhe tek drejtësia e vendimeve.
"Kemi zgjedhur rrugën e rritjes së ekonomisë duke i forcuar financat publike, kemi zgjedhur rritjen së investimeve duke ulur borxhin publik, kemi zgjedhur rrugën e rritjes së të ardhurave pa renduar me taksa ata që fitojnë më pak", tha Rama.
Gjatë fjalës së kryeministrit Rama, deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, u larguan nga salla e seancave plenare.
Në rendin e ditës të seancës së sotme parlamentare janë diskutimet për Projektligjin "Për buxhetin e vitit 2027" dhe projektligjet e tjera të paketës së re fiskale.























