Parlamenti izraelit, Knesseti, zgjodhi të martën vonë Matan Kahanan nga partia “Yashar” e Gadi Eisenkotit si kryetar të ri, me 66 vota, me mbështetjen e deputetëve arabë, transmeton Anadolu.
Kahana mposhti kandidatin e Likud-it, Ofir Katz, duke pasuar në këtë post anëtarin e së njëjtës parti, Amir Ohana.
Ahmad Tibi, kreu i grupit parlamentar të Listës së Përbashkët Arabe, e cilësoi rezultatin si një “hap dramatik” drejt marrjes së kontrollit të parlamentit, agjendës dhe komisioneve të tij nga blloku i Ndryshimit.
Ai tha se votat e Listës së Përbashkët dhe të deputetëve të tjerë arabë ishin vendimtare, duke shtuar: “Ky është vetëm fillimi dhe ne do të vazhdojmë”.
Kreu i partisë Demokratët, Yair Golan, tha se hapi i radhës është zëvendësimi i qeverisë.
“Ne kemi ndryshuar kryetarin e Knessetit dhe tani do të ndryshojmë qeverinë. Kemi filluar t’i vëmë gjërat në vendin e duhur”, shkroi ai në një postim në platformën sociale amerikane X.
Votimi forcon pozitën parlamentare të Eisenkotit, ndërsa ai po punon për formimin e një qeverie që do të zëvendësojë administratën e kryeministrit Benjamin Netanyahu, pas zgjedhjeve të 27 tetorit.
Presidenti Isaac Herzog i besoi Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë më 8 nëntor, pasi ai siguroi mbështetjen e 67 prej 120 anëtarëve të Knessetit, krahasuar me 46 që mbështetën Netanyahun.
Eisenkot ka 28 ditë kohë për të formuar një koalicion qeverisës, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera.























