| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Konfirmohet Murtaja Afrikane e Derrave në një fermë në Serbi, ndalohet transporti i derrave
Në një rreze prej 10 kilometrash është shpallur zonë e rrezikuar, e cila përfshin 19 fshatra në territorin e komunës Kniq.
Konfirmohet Murtaja Afrikane e Derrave në një fermë në Serbi, ndalohet transporti i derrave
Konfirmohet Murtaja Afrikane e Derrave në një fermë në Serbi, ndalohet transporti i derrave / TRT Balkan AL

Murtaja Afrikane e Derrave është konfirmuar në një fermë në Serbi, për çka është ndaluar transporti i derrave dhe janë ashpërsuar masat e kontrollit dhe dezinfektimit, njoftuan të martën autoritetet lokale.

Rasti është konfirmuar në fshatin Brnjica, në territorin e komunës Kniq, pranë Kragujevcit, ndërsa një territor në rreze prej tri kilometrash nga Brnjica, që përfshin edhe fshatrat Dubrava, Sumorovac dhe Rashkoviq, është shpallur zonën e infektuar.

Në një rreze prej 10 kilometrash është shpallur zonë e rrezikuar, e cila përfshin 19 fshatra në territorin e komunës Kniq, përfshirë Kikojevcin, Zabojnicën, Vuçkovicën, Gruzhën, Kniqin dhe Toponicën, si dhe dhjetë fshatra në territorin e qytetit të Kragujevcit.

Për të parandaluar përhapjen e infeksionit, blegtorëve u është rekomanduar që para objekteve ku mbajnë bagëti të trasha dhe të imëta të vendosin barriera dezinfektuese, si dhe të raportojnë menjëherë te shërbimet përkatëse çdo dyshim për sëmundje te kafshët.

Transporti i derrave në këtë zonë është ndaluar, ndërsa therja lejohet vetëm për nevoja familjare, me rekomandimin që, në bashkëpunim me veterinerin përkatës, mostrat të dërgohen për analiza laboratorike.

Komuna e Kniqit u ka bërë thirrje të veçantë familjeve që planifikojnë përgatitjen e mishit të derrit për festat e ardhshme familjare dhe fetare që t’i dorëzojnë sa më parë mostrat për analiza, duke theksuar se rezultatet nga instituti përkatës mbërrijnë brenda një ose dy ditësh.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë