| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Gjykatat kushtetuese të gjashtë vendeve të Ballkanit miratojnë Deklaratën e Ohrit
Deklarata përcakton udhëzime të përbashkëta për forcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve kushtetues, rritjen e transparencës dhe komunikimit me publikun si dhe vendimmarrjen në kohë të arsyeshme.
Gjykatat kushtetuese të gjashtë vendeve të Ballkanit miratojnë Deklaratën e Ohrit
Gjykatat kushtetuese të gjashtë vendeve të Ballkanit miratojnë Deklaratën e Ohrit / TRT Balkan AL

Gjykatat kushtetuese të gjashtë vendeve të Ballkanit miratuan njëzëri Deklaratën e Ohrit, me qëllim forcimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave kushtetuese, gjatë takimit të katërt vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), të mbajtur nga 12 deri më 14 nëntor në Ohër, njoftoi Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut. 

Deklarata u miratua nga përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Turqisë. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, me statusin e vëzhguesit si dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe organizatave ndërkombëtare nga Evropa, Azia dhe Afrika.

Dokumenti përcakton udhëzime të përbashkëta për forcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve kushtetues, rritjen e transparencës dhe komunikimit me publikun si dhe vendimmarrjen në kohë të arsyeshme. Gjykatat u zotuan gjithashtu të përmirësojnë informimin e qytetarëve për vendimet gjyqësore dhe të përdorin sisteme digjitale për menaxhimin më efikas të lëndëve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të inteligjencës artificiale në drejtësinë kushtetuese. Sipas Deklaratës, teknologjitë e reja mund të ndihmojnë në përpunimin më efikas të lëndëve, por nuk duhet të zëvendësojnë analizën e pavarur gjyqësore, arsyetimin juridik dhe vendimmarrjen e gjyqtarëve.

Në kuadër të takimit u mbajt edhe një konferencë ndërkombëtare me temën “Sfidat bashkëkohore për sundimin e ligjit: Roli i gjykatave kushtetuese”, ku përmes tri sesioneve diskutuan më shumë se 20 folës vendas dhe ndërkombëtarë. Në hapje të konferencës fjalime mbajtën, ndër të tjerë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi do të marrë kryesimin e Forumit për vitin 2027 ndërsa takimi i pestë vjetor do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm në Mal të Zi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë