| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Netanyahu pretendon se ka "dyshime serioze" për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet në Izrael
Kryeministri izraelit ka bërë thirrje për hetim, ndërsa komisioni zgjedhor certifikoi rezultatet, duke deklaruar se nuk ka gjetur parregullsi.
Netanyahu pretendon se ka "dyshime serioze" për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet në Izrael
Netanyahu pretendon se ka "dyshime serioze" për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet në Izrael

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën ka deklaruar se ekzistojnë “dyshime serioze” se vende të huaja kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të javës së kaluar, disa orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Izraelit certifikoi rezultatet, transmeton Anadolu.

“Ekzistojnë dyshime serioze se vende të huaja kanë ndërhyrë me shuma të mëdha parash për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në shtetin e Izraelit”, ka thënë Netanyahu në një deklaratë të incizuar, sipas të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”.

Ai nuk ka përmendur asnjë vend dhe as nuk ka paraqitur prova për të mbështetur pretendimin.

Netanyahu ka thënë se kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Noam Sohlberg, i kishte kërkuar agjencisë së sigurisë së brendshme Shin Bet të zhvillonte një hetim, duke bërë thirrje që të hiqen të gjitha pengesat për zhvillimin e tij.

“Duhet ta zbulojmë të vërtetën e plotë, pa fshehje dhe pa vonesa”, ka thënë ai.

Komisioni Zgjedhor njoftoi më herët të mërkurën se nuk kishte konstatuar parregullsi që do të tregonin se integriteti i votimit ishte cenuar ose se rezultatet ishin ndryshuar. Ndërkaq, Shin Bet e informoi komisionin se nevojitet një hetim i mëtejshëm për të përcaktuar përmasat e financimit të dyshuar të huaj dhe përpjekjeve për të ndikuar në zgjedhje.

Netanyahu gjithashtu ka përsëritur thirrjen e tij për formimin e një qeverie të gjerë nën udhëheqjen e tij, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë e bllokut të tij dhe partitë e tjera sioniste që janë të gatshme t’i bashkohen.

Ai ka akuzuar liderët e opozitës se po përpiqen të formojnë një qeveri të pakicës të mbështetur te “partitë islamiste”, për të cilat pretendoi se “mbështesin terrorizmin”.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur presidenti Isaac Herzog ka nisur konsultimet me grupet parlamentare për të vendosur se kujt do t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme.

Blloku i Netanyahut fitoi 53 vende në zgjedhjet e 27 tetorit, ndërsa partitë opozitare të rreshtuara me liderin e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, fituan 48 vende. Lista e Përbashkët dhe Ra’am, e njohur gjithashtu si Lista e Bashkuar Arabe, fituan 19 vende. Asnjëri nga dy blloqet kryesore nuk siguroi 61 vendet e nevojshme për shumicën në Knessetin me 120 vende.

Gjatë konsultimeve të së mërkurës, partia Sionizmi Fetar dhe partia ultraortodokse Shas rekomanduan Netanyahun, ndërsa Yisrael Beiteinu mbështeti Eisenkotin, raportoi e përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”. Ra’am vendosi të rekomandojë Eisenkotin përpara takimit me Herzognun të enjten.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë