| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Hamasi sinjalizon përparim në bisedimet për armëpushimin në Gaza
Zëdhënësi i grupit i thotë Anadolu-s se fraksionet palestineze iu përgjigjën pozitivisht propozimeve të paraqitura nga ndërmjetësit.
Hamasi sinjalizon përparim në bisedimet për armëpushimin në Gaza
Hamasi sinjalizon përparim në bisedimet për armëpushimin në Gaza / Reuters

Lëvizja palestineze Hamas deklaroi të martën se janë arritur “qasje të pranueshme” për çështjet e diskutueshme të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza me Izraelin, pas bisedimeve të zhvilluara në Kajro.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i tha Anadolu Agency se diskutimet në kryeqytetin egjiptian kanë prodhuar “qasje të pranueshme nga palët pjesëmarrëse në bisedime lidhur me çështjet e diskutueshme të marrëveshjes së armëpushimit”.

Qassem nuk dha detaje mbi natyrën e këtyre “qasjeve”.

Ai tha se Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze kanë vepruar “me fleksibilitet dhe pozitivitet” ndaj propozimeve të paraqitura nga ndërmjetësit e Egjiptit, Katarit dhe Türkiyes, “nga përgjegjësia kombëtare për të ndalur gjenocidin në Gaza”.

“Topi tani është në fushën e pushtimit (izraelit) dhe të Bordit të Paqes, të përfaqësuar nga drejtori i tij ekzekutiv, Nickolay Mladenov, për të ecur drejt zbatimit real dhe të plotë të vizionit të Presidentit Trump për paqen në Rripin e Gazës”, tha Qassem.

“Gjithçka varet nga aftësia e ndërmjetësve, shteteve garantuese dhe Bordit të Paqes për ta detyruar pushtimin të ndalë shkeljet, vrasjet dhe rrethimin, si dhe të pranojë këto qasje në mënyrë që të kalohet në fazën e dytë të marrëveshjes”, shtoi ai.

Sipas Qassemit, ndërsa Hamasi ka respektuar detyrimet e fazës së parë të armëpushimit, Izraeli ka tërhequr angazhimet e tij dhe ka vazhduar shkeljet e marrëveshjes, ndërsa bisedimet për kalimin në fazën e dytë kanë mbetur të bllokuara.

Ai akuzoi Izraelin se po përpiqet të “shkatërrojë marrëveshjen e armëpushimit përmes shkeljeve të vazhdueshme, vrasjeve të përditshme, shembjeve dhe bombardimeve, zhvendosjes së vazhdueshme të Vijës së Verdhë drejt perëndimit dhe kufizimeve për hyrjen e ndihmave në Gaza”.

Vija e Verdhë ndan zonat ku janë të dislokuara forcat izraelite në lindje nga zonat ku palestinezët lejohen të lëvizin në perëndim. Përmes saj, Izraeli kontrollon rreth 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës.

Sipas Hamasit, Izraeli ka penguar gjithashtu hyrjen në Gaza të sasive të dakorduara të ushqimeve, ilaçeve, furnizimeve mjekësore, materialeve për strehim dhe banesave të parafabrikuara, në një kohë kur rreth 2,4 milionë palestinezë, përfshirë 1.5 milionë të zhvendosur, jetojnë në kushte katastrofike.

Qassem tha se veprimet e Izraelit “i vendosin ndërmjetësit, shtetet garantuese dhe administratën amerikane përballë një përgjegjësie politike, morale dhe ligjore për të ushtruar presion ndaj pushtimit që të ndalë shkeljet dhe të respektojë atë që është rënë dakord”.

“Pothuajse 1.000 dëshmorë kanë rënë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Gaza, çka do të thotë se lufta gjenocidale po vazhdon dhe se ne po jetojmë një masakër të hapur para syve të botës”, shtoi ai.

Deri tani nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga palët përkatëse lidhur me deklaratat e Qassemit.

Sipas të dhënave palestineze, ofensiva izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë afro 73.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 173.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë.

Megjithëse armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor 2025, Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se ushtria izraelite ka vrarë 978 palestinezë dhe ka plagosur 3.097 të tjerë në sulme pothuajse të përditshme.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë