Gjashtë nga 21 vatrat e zjarrit të raportuara gjatë 24 orëve të fundit mbeten aktive, ndërsa shtatë të tjera janë nën mbikëqyrje, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Në operacione janë angazhuar 354 forca dhe 24 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjet me 155 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Vatrat aktive ndodhen në Malin e Dajtit, Shtuf, Prozhem dhe Malin e Çikës, ndërsa në Qafën e Helmesit zjarri është riaktivizuar në dy pika brenda një pylli me pisha. Ndërhyrjet vijojnë nga toka dhe ajri, pa rrezik të raportuar për zonat e banuara.
Situata në Shtanë–Tenë është stabilizuar, kurse vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar ose shuar dhe po mbahen nën mbikëqyrje.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar, megjithëse terreni dhe era vijojnë të vështirësojnë ndërhyrjet. Forcat mbeten në gatishmëri për izolimin e zjarreve, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronave.






















