Ushtria izraelite plagosi rëndë një palestinez në një sulm ajror të martën dhe shkatërroi shtëpi e objekte civile në Rripin e Gazës, në vazhdim të shkeljeve të marrëveshjes së armëpushimit të vitit të kaluar.
Një burim mjekësor në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa tha se palestinezi u dërgua në gjendje kritike në spital pas një sulmi me dron në zonën Abu Hujair, pranë kampit të refugjatëve Bureij, në Gazën qendrore.
Ndërkohë, automjete ushtarake izraelite, të shoqëruara nga buldozerë, përparuan në zonën e varrezave Abu Ubaida, në lindje të Deir al-Balahut, mes të shtënave dhe bombardimeve me artileri, thanë burime lokale.
Sipas tyre, buldozerët shkatërruan shtëpi dhe objekte civile që më parë ishin evakuuar.
Dëshmitarët thanë se ushtria izraelite shkatërroi shtëpi palestineze pranë zonave ku janë vendosur forcat e saj, duke përdorur kuti me lëndë shpërthyese të hedhura nga dronë të vegjël.
Prej rreth një jave, ushtria izraelite po përdor këtë metodë për të shkatërruar shtëpi dhe objekte të evakuuara palestineze në disa zona të Gazës përgjatë të ashtuquajturës “vijë e verdhë".
Kutitë me lëndë shpërthyese hidhen nga dronët dhe më pas shpërthehen në distancë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa dhe zonat përreth.
“Vija e verdhë” u përcaktua në marrëveshjen e armëpushimit të shpallur më 10 tetor 2025, duke ndarë zonat ku janë vendosur forcat izraelite nga ato ku palestinezët lejohen të lëvizin.
Marrëveshja parashikonte që ushtria izraelite të qëndronte përkohësisht në rreth 53 për qind të territorit të Gazës, në lindje të kësaj vije. Megjithatë, më vonë ajo e zgjeroi kontrollin në 63 për qindtë territorit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli kanë shkaktuar të paktën 1.650 të vrarë dhe 5.975 të plagosur palestinezë.
Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka zhvilluar një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe janë plagosur mbi 176.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë.
Lufta ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së Gazës, ndërsa OKB-ja vlerëson se rindërtimi do të kushtojë rreth 71,4 miliardë dollarë.























