| Albanian
BIZNES & TEKNOLOGJI
2 minuta leximi
Sulm kibernetik ndaj 178 markave të mëdha globale, vizitorët rrezikohen nga vjedhja e të dhënave
Softueri keqdashës i shpërndarë përmes një platforme softuerike të palës së tretë shënjestroi përdoruesit e Zoom, BBC, CNN, HSBC dhe IKEA, sipas Report URI.
Sulm kibernetik ndaj 178 markave të mëdha globale, vizitorët rrezikohen nga vjedhja e të dhënave
Sulm kibernetik ndaj 178 markave të mëdha globale, vizitorët rrezikohen nga vjedhja e të dhënave / َAA

Vizitorët e faqeve të internetit të 178 organizatave të mëdha, përfshirë Zoom, BBC, CNN, HSBC dhe IKEA, u ekspozuan ndaj kodit keqdashës JavaScript, të shpërndarë përmes një platforme të komprometuar të palës së tretë, sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Report URI.

Platforma të tjera të njohura të prekura sot nga incidenti përmes platformës së testimit të uebit Optimizely përfshinin Salesforce, GitLab, Equifax, Air France-KLM, prodhuesin e kuletave harduerike për kriptomonedha Ledger dhe shërbimin e transmetimit Peacock, bëri të ditur Report URI në një deklaratë.

Softueri keqdashës me shumë funksione ishte krijuar për të përgjuar të dhënat e kartave të pagesave, për të zëvendësuar adresat e kuletave të kriptomonedhave me adresa të kontrolluara nga sulmuesit si dhe për të vjedhur kukit e shfletuesit dhe pamjet e ekranit.

Në telefonat iPhone dhe tabletët iPad të Apple, kodi i injektuar shpërndante gjithashtu paketat e shfrytëzimit të dobësive Coruna dhe DarkSword për sistemin operativ iOS, sipas raportit, i cili shtoi se transaksionet e verifikuara tashmë kanë konfirmuar vjedhje të kriptomonedhave të lidhura me sulmuesit.

Pjesa më e madhe e kodit keqdashës u hoq shpejt pas zbulimit ndërsa deri në orën 21:52 sipas kohës së koordinuar universale (UTC) të hënën, skripti i infektuar u gjet vetëm në një nga 188 fragmentet e prekura, një rënie e ndjeshme krahasuar me 169 të tilla në orën 20:56 UTC.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë