Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale, ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për veprat penale që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Gjyqtari Kristofer Gosnell në leximin e vendimit për Thaçin tha se ai është fajtor për përpjekje për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe fajtor për mosbindje ndaj gjykatës.
“Për veprat penale për të cilat u shpallët fajtor, dënoheni me dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim”, tha Gosnell. Ndërkaq, Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë, për mosbindje të Gjykatës.
Por, gjykata vendosi që Bashkim Smakaj të lirohet në fund të seancës. Po ashtu, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe u lirua në fund të seancës. Gjithashtu, Fadil Fazliu është shpallur fajtor për veprat pengim i drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ai është dënuar më 12 muaj burgim, i cili konsiderohet dënim i kryer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Ndërkohë Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht për veprën mosbindje ndaj gjykatës. Dënimi sipas Gjykatës, konsiderohet i kryer pas një viti nëse Kuçi nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.
Sipas aktakuzës, të paktën nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi dyshohet se u kishte dhënë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë.
Ndërkaq, lidhur me të akuzuarin Hajredin Kuçi, në aktakuzë pretendohej se Thaçi kishte arritur marrëveshje me të që ai të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në rastin e gjykimit për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në kundërshtim me urdhrin e Gjykatës që ndalonte kontakte të tilla, përveç rasteve kur ato bëheshin sipas procedurave të përcaktuara. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që u ngarkohen.
Më 16 shtator, ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua në një rast tjetër me 25 vite burgim të njësuar, së bashku me Jakup Krasniqin i cili po ashtu u dënua me 25 vite burg ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim nga Gjykata Speciale.
Në këtë rast, ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.























