Shërbimet greke të inteligjencës zbuluan një komplot të dyshuar për atentat ndaj një individi të paidentifikuar në Greqi, ku në një operacion të përbashkët u arrestuan pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se po përgatisnin një sulm në lidhje me shërbimet iraniane të inteligjencës, raportuan sot mediat vendase.
Operacioni erdhi pas një hetimi disamujor, në të cilin morën pjesë agjenci të inteligjencës nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe vendet perëndimore. Sipas gazetës javore greke "To Vima", hetimi çoi në identifikimin e një rrjeti prej pesë shtetasish të Maqedonisë së Veriut, të dyshuar për planifikimin e sulmit.
Në raport thuhet se pesë shtetasit e Maqedonisë së Veriut dyshohet se po përgatisnin një sulm terrorist në emër të një shtetasi iranian, i cili ka lidhje me shërbimet iraniane të inteligjencës. Gjatë operacionit u arrestuan pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Katër prej tyre u ndaluan në Maqedoninë e Veriut ndërsa i pesti u gjet dhe u arrestua në Greqi më 12 nëntor për t'u dërguar më pas në Maqedoninë e Veriut.
Objektivi i synuar nuk është identifikuar ndërsa të pesë të dyshuarit pranuan se kanë bashkëpunuar me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, sipas gazetës greke. Sipas raportit, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se Mavaneh ka lidhje me individë brenda shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës së Iranit.
Hetimi kishte nisur në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, thuhet në raport.























