Dy trena u përplasën pranë stacionit kryesor hekurudhor të Pragës sot në mëngjes, duke lënë dhjetëra pasagjerë të plagosur, disa prej tyre rëndë, raportoi agjencia çeke e lajmeve.
Zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës në Pragë, Karel Kirs tha se disa pasagjerë kanë pësuar lëndime serioze, ku disa përballen me komplikacione kërcënuese për jetën. Të gjithë pasagjerët e plagosur rëndë u dërguan në spitalet në Pragë ndërsa të gjithë në bordin e dy trenave u evakuuan, tha Kirs.
Ministri i Transportit, Ivan Bednarik e përshkroi përplasjen si një "incident shumë serioz", duke thënë se kujdesi për të plagosurit është përparësia e menjëhershme. Ai falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre dhe tha se Inspektorati Hekurudhor po heton shkakun dhe rrethanat e përplasjes.
Trafiku hekurudhor në linjën e prekur është pezulluar ndërsa ndërprerjet pritet që të zgjasin disa orë dhe të ndikojnë në dhjetëra shërbime. Trenat me distanca të gjata po devijohen në stacione të tjera hekurudhore në Pragë.























