Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Bordi i Paqes, i mbështetur nga ShBA-ja, ranë dakord të hënën për krijimin e dy grupeve të punës që do të përqendrohen te çarmatimi dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës.
Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Izrael ndërmjet Netanyahut, të dërguarit dhe dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, dhe drejtorit të Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov, sipas zyrës së kryeministrit izraelit.
“Kryeministri dhe Bordi i Paqes zhvilluan diskutime të thelluara dhe konstruktive. U ra dakord për krijimin e dy grupeve të punës”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë të publikuar në platformën X.
Grupi i parë do të përqendrohet te “çarmatimi dhe demilitarizimi i Gazës”, proces që Izraeli dhe Bordi i Paqes janë të vendosur që “të kryhet pa vonesë dhe të përfundojë përpara se të nisë çdo rindërtim në Gaza”.
Grupi i dytë do të përqendrohet te “kushtet sanitare, uji i pastër dhe çështje të tjera të shëndetit publik për banorët e Gazës”, të cilat prekin gjithashtu njerëzit në Izrael, thuhet në deklaratë.
Në takim mori pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, raportoi “The Times of Israel”, duke cituar një burim të paidentifikuar.
Bisedimet u zhvilluan pasi Kushner vizitoi të dielën kryeqytetin egjiptian, Kajro, i shoqëruar nga Mladenov dhe Blair, ku diskutuan për të njëjtat çështje me zyrtarë të Hamasit.
Në tetor të vitit 2023, ushtria izraelite nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë mbi 73.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 174.000 të tjerë.
Pavarësisht armëpushimit që ka qenë në fuqi që nga tetori i vitit 2025, në kuadër të fazës së parë të planit të Trumpit për paqen në Gaza, Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj enklavës palestineze. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 1.260 persona janë vrarë dhe mbi 4.100 të tjerë janë plagosur.
Faza e dytë e planit të Trumpit parashikon transferimin e qeverisjes së Gazës te një komitet teknokratësh palestinezë, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese dhe kalimin e armëve nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Izraeli pritet të tërhiqet në faza nga Rripi i Gazës, për të mundësuar nisjen e procesit të rindërtimit.




















