| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Hyn në fuqi armëpushimi Rusi-Ukrainë në Oleshky i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e ShBA-së
"Situata në Oleshky është e tmerrshme. Oleshky është një qytet lufte i vijës së parë në prag të katastrofës", tha Melania Trump.
Hyn në fuqi armëpushimi Rusi-Ukrainë në Oleshky i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e ShBA-së
Hyn në fuqi armëpushimi Rusi-Ukrainë në Oleshky i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e ShBA-së

Një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës në qytetin ukrainas të kontrolluar nga Rusia, Oleshky, i ndërmjetësuar nga zonja e parë e ShBA-së, Melania Trump, hyri në fuqi në orën 01:00 GMT të martën për të lehtësuar dërgesat e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve.

Një deklaratë zyrtare për mediat u lëshua të premten nga Shtëpia e Bardhë duke konfirmuar se zonja e parë ka shërbyer si "Ndërmjetëse Ekskluzive" për të siguruar marrëveshjen e lokalizuar.

Zhvillimi erdhi mes përkeqësimit të mungesës së ushqimit, ilaçeve dhe ujit të pastër në Oleshky, një qytet i vijës së parë që ndodhet në bregun lindor të lumit Dnipro në rajonin jugor Kherson të Ukrainës. Banorët duhet të përballen me akses të kufizuar në energji elektrike, rrugë të minuara dhe sulme të përsëritura ushtarake, sipas Shtëpisë së Bardhë.

"Situata në Oleshky është e tmerrshme. Oleshky është një qytet lufte i vijës së parë në prag të katastrofës", tha Melania Trump duke shtuar se “Ishte shumë e qartë se pa ndërhyrjen time, mundësia për të sjellë ndihma humanitare në qytet dhe për të evakuuar të moshuarit do të ishte e pamundur”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov tha se Moska do të zbatojë një "regjim heshtjeje" në drejtimin e Khersonit nga ora 4 e mëngjesit me orën e Moskës më 27 tetor për të lehtësuar operacionet humanitare.

"Për të garantuar sigurinë e popullatës dhe dërgimin e furnizimeve thelbësore humanitare, do të kryhet zbulimi inxhinierik dhe do të lehtësohet kalimi i sigurt i një autokolone humanitare në vendbanimin Oleshky, rajoni i Khersonit", citoi Ministria e Mbrojtjes Ruse të ketë thënë Gerasimov.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se do të zbatojë armëpushim të lokalizuar nga ora 3 e mëngjesit me orën e Kievit të së njëjtës ditë për të ofruar ndihmë humanitare për banorët e Oleshky-t dhe për të siguruar evakuimin e sigurt dhe të papenguar të civilëve.

Sipas marrëveshjes, përfaqësuesit civilë nga Rusia dhe Ukraina do të vlerësojnë nevojat e banorëve. Ata që dëshirojnë të largohen do të marrin transport të koordinuar në destinacionet në secilin vend ndërsa një organizatë mediatike amerikane do të shoqërojë ekipet për të dokumentuar procesin, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se kohëzgjatja e operacionit mbetet e pasigurt, por vuri në dukje se ai mund të zgjasë disa ditë. Armëpushimi vjen pasi Moska dhe Kievi ia hedhin fajin njëri-tjetrit për përkeqësimin e krizës humanitare në Oleshky, një qytet që forcat ruse e pushtuan në vitin 2022.

Oleshky kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 24 mijë banorë, por vlerësimet sugjerojnë se vetëm 1.700-2.000 njerëz kanë mbetur, shumë prej tyre banorë të moshuar të paaftë për t'u larguar.

Shembja e digës "Nova Kakhovka" në jug të Ukrainës në qershor 2023 shkaktoi përmbytje masive në komunitetet përreth, përfshirë Oleshky-n, të cilat shkatërruan shtëpitë dhe detyruan mijëra njerëz të largohen ndërsa Ukraina dhe Rusia që secila akuzon tjetrën për shkatërrimin e qëllimshëm të digës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë