Jeta dhe vdekja e palestinezëve pranë "Vijës së Verdhë" në Gaza
LUFTA NË GAZA
8 minuta leximi
Jeta dhe vdekja e palestinezëve pranë "Vijës së Verdhë" në GazaTel-Avivi ka shpërfillur në mënyrë të përsëritur thirrjet për t'u tërhequr nga enklava e shkatërruar palestineze, duke nxjerrë në pah pafuqinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Jeta dhe vdekja e palestinezëve pranë "Vijës së Verdhë" në Gaza.

Hanan al-Dali po rregullonte çadrën e saj të vjetëruar në një fundjavë gushti me lagështirë, kur dëgjoi breshëri të njëpasnjëshme të shtënash me armë zjarri. 

Ajo la gjithçka për të kapur tre fëmijët e saj të vegjël, më i madhi vetëm nëntë vjeç, dhe u shtri në tokë. Tani më kjo është kthyer pothuajse në rutinë, të gjithë rrafsh me tokën, me duart mbi kokë.

Al-Dali, 31 vjeçe, rrallë i lë fëmijët e saj të luajnë jashtë çadrës, pavarësisht vapës së madhe. Është thjesht tepër e rrezikshme.

Ata jetojnë vetëm njëqind metra larg Vijës së Verdhë, kufiri që shënon fillimin e territorit të kontrolluar nga Izraeli në Gazë.

Pavarësisht një armëpushimi të supozuar në tetor 2025, dhuna nuk ka rreshtur kurrë.

Ndërsa udhëheqësit botërorë përgatiten të mblidhen në Nju Jork për debatin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 22 shtator, Gaza do të ketë pësuar pothuajse tre vjet luftë që nga tetori 2023.

Megjithëse një armëpushim hyri në fuqi më 10 tetor 2025, ai është i fundit në një varg të gjatë vendimesh të mbështetura nga OKB-ja që Izraeli i ka injoruar.

“Nuk duronim dot më strehimoret, mbipopullimin, mungesën e higjienës dhe sëmundjet, kështu që zgjodhëm të rrezikonim afër Vijës së Verdhë”, thotë ajo për TRT World.

“Por kurrë nuk e imagjinoja se rreziku do të ishte i tillë. Të shtënat e armëve na arrijnë çdo ditë, dhe ndonjëherë nuk flemë nga frika se ushtria izraelite mund të mësyjë brenda”.

Nëntë muaj nga i ashtuquajturi armëpushim, kontrolli i Izraelit mbi enklavën e shkatërruar palestineze tani është rritur në mbi 65 për qind, sipas një trupe të OKB-së.

Kjo është një rritje nga 53 për qind që ishte kur u caktua për herë të parë “Vija e Verdhë”.

Armëpushimi i tetorit, sipas një plani amerikan prej 20 pikash, u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit më 17 nëntor 2025. Ai pasoi një armëpushim të mëparshëm që kishte filluar më 19 janar të po atij viti.

Përderisa ky armëpushim i dytë i reduktoi luftimet, dhuna vdekjeprurëse pranë linjës së frontit ka vazhduar. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se më shumë se 1.200 palestinezë janë vrarë që nga armëpushimi, deri në fillim të gushtit 2026.

Al-Dali i është dashur të shohë Vijën e Verdhë të afrohet gradualisht, duke sjellë vazhdimisht dhunën te pragu i derës së tyre.

“Menduam se ajo do të largohej ndërsa ushtria tërhiqej. Por ajo edhi më përpara dhe na u afrua”, shtoi ajo.

Bashkëshorti i Al-Dali u plagos nga një goditje izraelite në maj 2025 e cila e la atë të verbër nga njëri sy, pa aftësi për të folur dhe pa lëvizje në dorën e djathtë.

Shumica e ditëve të tij kalojnë duke kërkuar çfarëdolloj trajtimi që mund të gjejë në enklavë, e cila përballet me mungesa katastrofike mjekësore midis bllokadës në vazhdim nga Izraeli.

Përsëri, ai shpreson se sesioni i ardhshëm i OKB-së do të sjellë ndryshime, jo vetëm rezoluta, por veprime për ta detyruar Izraelin “t'i japë fund gjenocidit, shkatërrimit dhe urisë që po u imponon njerëzve të Gazës”.

Dy kilometra më tutje, Osama Ahmad Said, 54 vjeç, dhe familja e tij po strehohen në një dyqan druri të bombarduar.

Ai tregon për TRT World se mund ta shohë shtëpinë e tij të rrënuar vetëm nga largësia, pasi ajo gjendet pranë linjës.

Ai bart ujë nga qindra metra larg, pasi donatorët kanë shumë frikë të arrijnë në atë zonë. Edhe UNRWA-ja, dikur një burim i rëndësishmëm ndihme, ka ndërprerë dhënien e ndihmës, tha ai.

Izraeli ka braktisur çdo zotim, tha Said, megjithatë ajo që e pikëllon më shumë është dështimi i OKB-së për të zbatuar rezolutat e veta.

“Nëse OKB-ja i mban takimet e saj vjetore thjesht për të nxjerrë fjalë, pa asnjë zbatim apo presion, atëherë cili është qëllimi?” pyet ai.

“Ne kemi një shprehje: kush ndihet i sigurt nga ndëshkimi, sillet keq. Për sa kohë që Izraeli mbetet pa përgjegjësi, Nakba e popullit palestinez do të vazhdojë pa fund”, tha Ahmad Said.

Përsëri, palestinezët i mbeten besnikë OKB-së, thotë ai. “Ne kërkojmë mekanizma për zbatimin e rezolutave të saj, sepse besojmë te paqja dhe drejtësia”.

Një model rezolutash të OKB-së, që zbatohen rrallë

Në fund të korrikut 2026, Hamasi ra dakord për një plan çarmatimi prej 15 pikash të ndërmjetësuar nga ShBA-ja. Trumpi e përshëndeti atë si një hap "historik" drejt përfundimit të luftës. Sipas këtij plani, Hamasi do të çarmatosej me faza. Izraeli do të tërhiqej paralelisht, duke u kthyer pas Vijës së Verdhë.

Por më 9 gusht, Netanyahu e hodhi poshtë marrëveshjen kategorikisht. Forcat izraelite, këmbënguli ai, nuk do të tërhiqen derisa Hamasi të çarmatoset "me të vërtetë" më parë.

Hamasi ka thënë se nuk do të dorëzojë armët derisa Izraeli të tërhiqet në Vijën e Verdhë, siç premtoi armëpushimi fillestar.

Marrëveshja mbetet e bllokuar, dhe njerëzit si al-Dali dhe Said mbeten të bllokuar në hijen e saj.

Tragjedia që po zhvillohet në Gazë shkon shumë tej një krize humanitare, thotë Hussein Hammad, një mbrojtës palestinez i të drejtave të njeriut.

Është “një kolaps i gjithanshëm dhe i qëndrueshëm i të gjithë sistemit të jetës, i nxitur nga përpjekja e Izraelit për ta kthyer Gazën në një mjedis armiqësor”, thotë Hammad për TRT World.

Ai vuri në dukje një shkallë papunësie prej pothuajse 85 për qind, zhvendosjen e përsëritur të rreth dy milionë njerëzve, breza jetimësh dhe rikthimin e sëmundjeve si polio mes higjienës së rrënuar.

Politikisht, thotë ai, Izraeli e ka ndarë Gazën në “kantone” të izoluara, me zona tampon dhe Vijën e Verdhë që bllokojnë lëvizjen dhe ndërpresin ushqimin e ujin.

E gjithë kjo vjen edhe pse trupat e OKB-së vendosin vazhdimisht kundër Izraelit.

Në vitin 2024, GjND-ja (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) urdhëroi forcat izraelite të tërhiqen plotësisht. Asambleja e Përgjithshme ra dakord dhe bëri thirrje për një afat kohor deri në shtator 2025. Izraeli i injoroi të dyja.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit kanë mbetur të pazbatuara për shkak të vetos së ShBA-së, dhe një komision i OKB-së arriti në përfundimin në shtator 2025 se Izraeli kishte kryer gjenocid, gjë që Izraeli e mohon.

Hammad e quan dështimin e OKB-së për të zbatuar rezolutat “një martesë fatale të të metave strukturore dhe bashkëfajësisë politike ndërkombëtare”.

Asambleja e Përgjithshme “kalon rezolutat me shumicë të madhe, por këto janë jo-detyruese”, thotë ai, ndërsa Këshilli i Sigurimit “është rrëmbyer plotësisht nga vetoja e ShBA-së”.

OKB-ja ka arritur një nivel historik pafuqie, tha ai, e paaftë madje të mbrojë as stafin e saj: 397 prej të cilëve janë vrarë gjatë luftës. Ndërkohë Izraeli e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së “persona non grata”.

“Organizata më e madhe në botë është kthyer në pak më shumë se një treguese tragjedish”, shton Hammad.

Ish-zëdhënësi i UNRWA-së, Sami Mshasha, thotë për TRT World se problemi nuk është mungesa e rezolutave, por se “zbatimi mbetet peng i vullnetit të shteteve mefërmarrëse”.

Asamblesë së Përgjithshme i mungon një organ ekzekutiv për të detyruar palët, thotë ai, ndërsa veprimi i Këshillit të Sigurimit sipas Kapitullit VII mund të bllokohet politikisht nga brenda.

“Gaza nxori në pah pasojat e një strukture të tillë të komprometuar”, thotë Mshasha.

Këshilli miratoi Rezolutën 2728 në mars 2024, duke kërkuar një armëpushim gjatë Ramazanit, e më pas Rezolutën 2735 në qershor, duke miratuar një armëpushim me tre faza. “Megjithatë asnjëra nuk u zbatua në kohë”.

Një raport i komitetit të OKB-së, vëren ai, zbuloi se dështimi i Këshillit nuk erdhi nga hezitimi për të përdorur Kapitullin VII, pasi ai u aplikua në Irak dhe Libi.

Kjo ekspozon “një selektivitet të qartë me prapavijë politike.” Ajo që ndodhi, thotë ai, “nuk është thjesht një ‘dështim i OKB-së’, por dështimi i një sistemi ndërkombëtar, mekanizmat e zbatimit të të cilit u përplasën me pushtetin politik”.

“Është një krizë besueshmërie, jo një krizë kompetence”, shton Mshasha.

Vija e fundit e shpëtimit për Gazën

UNRWA-ja ka qenë prej kohësh shtylla e mbijetesës palestinez, duke ndërhyrë për të siguruar kujdesin shëndetësor, ushqimin dhe sanitetin e ujit. Tani po dorëzohet nën presione të ngjashme, ndërsa Izraeli kërkon të shkatërrojë agjencinë humanitare dhe të kufizojë aftësinë e saj për t'u përgjigjur.

Në vitin 2024, Knesseti i Izraelit e cilësoi agjencinë si një organizatë terroriste dhe kaloi ligje për të ndaluar aktivitetet e saj.

Izraeli gjithashtu bindi 16 shtete donatore, përfshirë ShBA-në, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë, të tërheqin financimin, duke pezulluar 450 milionë dollarë ndihma.

Hammadi e përshkruan situatën e UNRWA-së si “një pasqyrim të një vendimi politik izraelit për të likuiduar çështjen e refugjatëve duke shkatërruar agjencinë e tyre.” Ajo është reduktuar në “një organizatë thjesht ndihmuese në regjimin e urgjencës maksimale”.

BURIMI:TRT World